Bota sërish në makthin e koronës

Bota

Bota sërish në makthin e koronës

Më: 31 tetor 2020 Në ora: 22:35
Foto ilustrim

Infektimet, por edhe viktimat nga koronavirusi në mbarë botën të premten kanë shënuar një rritje të frikshme. Rekorde të infektuarish janë regjistruar në shumë vende të botës. Në total në rang global ishin mbi gjysmë milionë të infektuar si dhe mbi 6 mijë viktima.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shënuar rritjen më të madhe. Në 24 orët e fundit autoritetet amerikane raportuan për 101 mijë infektime ditore dhe afro 1 mijë viktima. Amerika ka numrin më të lartë të të infektuarve, me më shumë se 9 milionë dhe të viktimave me rreth 230 mijë.

Edhe Europa gjatë muajit Tetor po përjeton një valë të dytë infektimesh që po vinë në rritje. Në rritje janë edhe viktimat në këto shtete. Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hoopkins, në 10 shtetet më vdekshmërinë më të madhe nga Covid-19, veç SHBA, që është e para, Brazilit dhe Indisë, më pas renditen Anglia me 46 mijë viktima, Italia me 39 mijë vdekje, që nga fillimi i pandemisë, ndjekur nga Franca me Spanjën.

Pavarësisht se nga e enjtja në mesnatë në Francë ka nisur karantina kombëtare, autoritetet franceze raportuan për 24 orët e fundit 49 mijë raste dhe 550 viktima. Edhe Britania e Madhe vendosi një bllokim një mujor në të gjithë Anglinë duke filluar nga e Hëna, me shpresën se masat mund të lehtësohen përpara Krishtlindjeve.

Një tjetër shtet europian ku situata duket se po përkeqësohet është Italia, ku u shënuan 31 mijë raste dhe 199 viktima. Gjermania ka shënuar po ashtu një rekord mbi 190 mijë raste të reja. Por në total viktimat në këtë shtet janë rreth 10 mijë.

Për shkak të frikës së ezaurimit të kapaciteteve spitalore shumë shtete kanë vendosur masa të reja për të paktën 4 javët e ardhshme. Masat përfshijnë reduktimin të kontakteve sociale, si dhe do të mbyllen restorantet, baret, palestrat dhe do të ndalohen pjesa më e madhe e aktiviteteve të argëtimit publik. Por për të mos kaluar në kolaps ekonomia, të gjitha këto shtete kanë lënë të hapura shkollat, kopshtet, dyqanet e shitjes me pakicë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat