Kina ia uron Bidenit fitoren në zgjedhje

Bota

Kina ia uron Bidenit fitoren në zgjedhje

Nga: B.S. Më: 13 nëntor 2020 Në ora: 10:57
Xi Jinping

Kina të premten përgëzoi presidentin e zgjedhur Joe Biden, fituesin e zgjedhjeve të 3 nëntorit, rezultatet e të cilave ende nuk njihen nga presidenti i tanishëm Donald Trump.

"Ne e respektojmë zgjedhjen e popullit Amerikan. Urime për z. Biden dhe zonjën Harris", tha zëdhënësi i Ministrisë së jashtme kineze Wang Wenbin në një konferencë shtypi dhjetë ditë pas zgjedhjeve, duke përmendur zëvendës presidenten e zgjedhur Kamala Harris.

"E kuptojmë se rezultatet e zgjedhjeve të ShBA-së do të vendosen sipas ligjeve dhe procedurave të ShBA-së", shtoi ai, duke përsëritur qëndrimin e mëparshëm të Pekinit.

Refuzimi i Trumpi për të pranuar humbjen në zgjedhje e ka vënë Pekinin në pozitë të vështirë, sepse Kina nuk dëshiron të bëjë asgjë për të kundërshtuar më tej presidentin republikan i cili ka ngritur një seri padish për të sfiduar rezultatin.

Marrëdhëniet midis Kinës dhe SHBA-së janë në nivelin e tyre më të ulët në dekada për shkak të një sërë mosmarrëveshjesh, nga ato tregtare, tek çështja e Hong Kongut dhe pandemisë së koronavirusit. Administrata Trump ka vënë sanksione ndaj Kinës.

Disa ditë pas zgjedhjeve, kur doli që Bideni kishte mbledhur mjaft vota elektorale për t'u bërë presidenti i ri amerikan, një numër aleatësh amerikanë uruan demokratin, ndërsa Kina dhe Rusia abstenuan. Rusia ende nuk e ka uruar Bidenin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat