Bota ende larg objektivave të Kombeve të Bashkuara kundër Sidës

Bota

Bota ende larg objektivave të Kombeve të Bashkuara kundër Sidës

Më: 1 dhjetor 2020 Në ora: 23:00
Ilustrim

Katër vjet më parë, qeveritë në mbarë botën përqafuan objektivat e parashtruara nga Kombet e Bashkuara për t’i dhënë fund pandemisë së Sidës. Materiali në vazhdim shpjegon arsyet përse këto objektiva janë kaq të vështira dhe na sjell përvojën e një qyteti që ka shënuar sukses:

Bota prej vitesh ka pasur në dispozicion mjetet për t’i dhënë fund Sidës.

Ilaçet kundër Sidës shmangin thuajse plotësisht rrezikun e transmetimit të virusit nga një person i infektuar tek të tjerët. Po ashtu ka ilaçe për personat e rrezikuar nga infeksioni, që ofrojnë mbrojtje nga ky rrezik.

Katër vjet më parë, qeveritë në mbarë botën përqafuan tre objektiva: diagnostikimin e 90% të personave me HIV; trajtimin e 90% të personave të diagnostikuar me HIV dhe neutralizimin e virusit në 90% të pacientëve për ta bërë të padiktueshëm.

Por fundi i kësaj pandemie është ende larg, thonë ekspertët:

"Viti 2020 pritej të sillte rënie të ndjeshme të infektimeve të reja, duke e ulur shifrën nën 500,000 në rang botëror. Në 2019 kishim më shumë se 1.7 milionë infeksione të reja. Jemi larg objektivave për ta vënë nën kontroll përhapjen e virusit,” thotë Dr. Chris Beyrer.

Dr Beyrer thotë se adoleshentët dhe të rinjtë janë ndër grupet e rrezikuara:

"Ende shohim njerëz që infektohen me HIV në moshë relativisht të re, sidomos në Afrikën nën-sahariane, por ndodh edhe në Shtetet e Bashkuara, në Amerikë Latine, Karaibe, Azinë Lindore e Juglindore. Këta të rinj nuk fillojnë mjekimet deri vonë,” thotë mjeku.

Problemi është më serioz për meshkujt në moshë të re, thotë eksperti. Kjo grupmoshë nuk shkon të vizitohet tek mjeku dhe ka gjasa të mos bëjë analizat deri kur shfaqen simptomat. Si rezultat, meshkujt në moshë të re vdesin më herët se femrat e infektuara me HIV dhe deri në vdekje mund të infektojnë shumë individë të tjerë.

Virusi HIV është shumë i përhapur në vende ku konsiderohet si vepër penale puna në industrinë e seksit, ose të jesh individ transgjinor apo homoseksual; apo në vende ku dënohen ata që marrin drogë me injeksion. Në këto vende mbi 60% e të infektuarve u përkasin këtyre kategorive.

Qyteti i Nju Jorkut arriti të përmbushë objektivat e OKB-së duke zgjeruar programet shëndetësore për të përfshirë edhe personat më në rrezik për t’u infektuar

"Një pjesë e mirë e suksesit në Nju Jork, ku i dhamë fund epidemisë, ishte rezultat i punës së drejtpërdrejtë në komunitete si për shembull me organizatat e transgjinorëve. Dëgjuam me vëmendje se çfarë kishin nevojë transgjinorët dhe krijuam një program për t’iu përgjigjur nevojave,” thotë Dr. Demetre Daskalakis.

Dr. Daskalakis thotë se Nju Jorku arriti sukses sepse shërbimet e shëndetësisë në këtë qytet kanë si objektiv përmbushjen e nevojave të shëndetit, pavarësisht nga identiteti i personave në nevojë.

Eksperti amerikan do të vihet së shpejti në krye të programit kundër HIV/Sidës në Qendrën për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve. Ai shprehet me bindje se rezultatet e Nju Jorkut mund të shtrihen në të gjithë Shtetet e Bashkuara nëse programet përshtaten për t’iu përgjigjur nevojave specifike./Voa/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat