Britania autorizon përdorimin e vaksinës Pfizer për rastet emergjente

Bota

Britania autorizon përdorimin e vaksinës Pfizer për rastet emergjente

Më: 2 dhjetor 2020 Në ora: 13:08
Ilustrim

Zyrtarët britanikë autorizuan të mërkurën një vaksinë për COVID-19 për përdorim emergjent, duke i dhënë dritën e blertë vaksinës së parë në botë kundër virusit dhe duke hedhur një hap të madh drejt dhënies fund pandemisë.

Leja për vaksinën e zhvilluar nga prodhuesi amerikan i ilaçeve Pfizer dhe BioNTech i Gjermanisë, u dha në një periudhë të rritjes së infektimeve nga koronavirusi në Shtetet e Bashkuara dhe në Evropë, duke bërë trysni mbi spitalet në disa vende dhe duke detyruar raunde të reja kufizimesh që kanë shkatërruar ekonomitë.

Agjencia Rregullative e Barnave dhe Produkteve të Kujdesit Shëndetësor, e cila licencon ilaçe në Mbretërinë e Bashkuar, rekomandoi që vaksina të mund të përdorej pasi që shqyrtimi i rezultateve të provave klinike treguan se vaksina ishte 95 për qind efektive në përgjithësi dhe se ofron mbrojtje të konsiderueshme për të moshuarit.

Sekretari britanik i shëndetësisë, Matt Hancock, i tha BBC-së se situata me pandeminë do të përmirësohet në pranverë.

“Tani kemi një vaksinë. Ne jemi vendi i parë në botë që e kemi një vaksinë klinikisht të autorizuar...”, tha ai.

Vendet e tjera nuk janë shumë prapa. Rregullatorët në Shtetet e Bashkuara dhe në Bashkimin Evropian gjithashtu po verifikojnë vaksinën Pfizer së bashku me një vaksinë të ngjashme të zhvilluar nga konkurrenti Moderna Inc. Rregullatorët britanikë gjithashtu po shqyrtojnë një tjetër vaksinë të zhvilluar nga AstraZeneca dhe Universiteti i Oksfordit.

Drejtori Ekzekutiv i kompanisë Pfizer, Albert Bourla, e quajti vendimin e Mbretërisë së Bashkuar "një moment historik"./Voa/

*Mbështetur në agjencitë e lajmeve AP dhe Reuters

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat