Pakënaqësitë e Perëndimit me Turqinë kanë gjasa të vazhdojnë me administratën Biden

Bota

Pakënaqësitë e Perëndimit me Turqinë kanë gjasa të vazhdojnë me administratën Biden

Më: 4 dhjetor 2020 Në ora: 20:09
Joe Biden dhe Rexhep Tajip Erdogan

Presidenti Rexhep Tajip Erdogan ka kohë që ankohet se ndaj Turqisë po krijohet një komplot ndërkombëtar që synon të dëmtojë fuqinë dhe ndikimin turk jashtë vendit.

Kritikët vendas dhe të huaj e kundërshtojnë atë, duke thënë se nuk ka ndonjë komplot, por nëse ai shfaqet ndonjëherë, do të jetë kryesisht për shkak të konflikteve që Turqia krijon me vendet fqinje, përfshirë Bashkimin Evropian dhe aleatët e Turqisë në NATO. Ata janë të irrituar, që sa herë kundërshtohet, ai kërcënon të hapë portat e vendit të tij, që imigrantët të dynden përsëri drejt Evropës.

Muajt e fundit Erdogani ka fajësuar shpesh armiq të huaj, të padukshëm dhe keqdashës për ekonominë e përkeqësuar të Turqisë. Në pjesën më të madhe të këtij viti, investitorët e huaj e kanë shmangur Turqinë dhe vlera e lirës turke që ishte e dobët, ra më tej muajin e kaluar në nivele të ulëta rekord kundrejt dollarit dhe euros. Kritikët perëndimorë thonë se problemet ekonomike janë rezultat i keqmenaxhimit të ekonomisë turke nga ana e tij.

Për më tepër, udhëheqësi turk dhe ndihmësit e tij, kanë akuzuar vendet evropiane se po bashkëpunojnë për të sabotuar ambicjet e tij gjeopolitike, veçanërisht në Mesdheun Lindor, ku Ankaraja ka hyrë në një konflikt detar, që ka ardhur duke u përshkallëzuar e që rrezikon të dalë jashtë kontrollit, me Greqinë dhe Qipron, për shkak të të drejtave për shpim-kërkim për naftë dhe gaz në det.

Potenciali i madh energjetik i Mesdheut Lindor, ka tërhequr në një ngërç destabilizues edhe fuqitë e tjera në Evropë, Afrikën e Veriut dhe Lindjen e Mesme. Evropianët perëndimorë dhe fqinjët e tjerë rajonalë të Turqisë thonë se ligji detar i jep më shumë të drejtë Athinës dhe Qipros, duke akuzuar Ankaranë se po ndjek politikën e lojës me zjarrin.

"Ne e shohim veten si pjesë të pandashme të Evropës," u tha zoti Erdogan anëtarëve të partisë së tij në pushtet për Drejtësi dhe Zhvillim [AKP] në një fjalim muajin e kaluar.

"Sidoqoftë, kjo nuk do të thotë që ne do të përkulemi ndaj sulmeve të hapura ndaj vendit dhe kombit tonë, padrejtësive të fshehta dhe standardeve të dyfishta," shtoi ai.

Në tetor, ndërsa kritikat e evropianëve u rritën për aventurat e ndërmarra nga Turqia, përfshirë një ndërhyrje ushtarake në Sirinë veriore që synonte shpërnguljen e kurdëve sirianë, zoti Erdogani u përgjigj, " BE, zgjohu! Po ua them përsëri: nëse përpiqeni ta portretizoni operacionin tonë si një pushtim, detyra jonë është e thjeshtë - ne do të hapim dyert dhe do t'ju dërgojmë 3.6 milionë imigrantë”.

Teoritë e konspiracionit kanë qenë prej kohësh një tipar i jetës kulturore dhe politike në Turqi, që nga shembja e Perandorisë Osmane. Gjatë sundimit të tij 17-vjeçar, kritikët e kanë akuzuar Erdoganin për nxitjen e frikës së vjetër se Turqia është e rrethuar nga fuqi dhe forca të errëta, që synojnë ta dobësojnë vendin, për të parandaluar rikthimin e madhështisë osmane.

"Duke nxitur mosmarrëveshjet aktuale në Mesdheun Lindor, udhëheqja turke po përdor një retorikë që rrotullohet rreth temave të tilla si pushtimi - duke iu referuar pushtimit otoman të vitit 1459 të Konstandinopojës, Stambollit të sotëm - betejat dhe luftërat, konspiracionit të madh (të papërcaktuar) ndërkombëtar, dhe një kthim tek lavdia”, vë në dukje Marc Pierini, analist me grupin kërkimor Carnegie Europe.

Ankesa e shpeshtë e Erdoganit për një komplot të huaj antiturk rrezikon të kthehet në një profeci vetë-përmbushëse, paralajmërojnë disa analistë dhe diplomatë perëndimorë.

Nga mosmarrëveshjet diplomatike me aleatin e NATO-s, Francën, mbi zbatimin e embargos ndërkombëtare të armëve ndaj Libisë, tek vendosja e forcave speciale dhe mercenarëve të paguar nga Ankaraja në vendin e shkatërruar të Afrikës së Veriut, nga aventurizmi ushtarak në Sirinë veriore dhe Nagorno-Karabak, tek shpimet e paligjshme të Turqisë në ujërat qipriote, kreu turk ka krijuar një listë mbresëlënëse kundërshtarësh.

Ankaraja duket gjithnjë e më e gatshme të sfidojë aleatët dhe armiqtë drejt synimit të saj për një rol më të madh në skenën botërore. Nëse vendet perëndimore dhe fqinjët e afërt të Turqisë fillojnë koordinimin e strategjive për ta mbajtur situatën në kontroll, kjo do të vijë si pasojë e qëllimit agresiv të Erdoganit për të zgjeruar ndikimin turk në Mesdhe, Egje dhe Detin e Zi, përmes diplomacisë së guximshme dhe mjeteve ushtarake, thonë diplomatët dhe analistët perëndimorë.

Ka shenja gjithnjë e më në rritje se partnerët e Turqisë në NATO janë lodhur me ambicjet gjeografike kërcënuese të Erdoganit dhe pretendimet territoritale kundër fqinjëve të tij.

"Tërësia e politikave dhe veprimeve të Turqisë tani ka arritur një pikë përshkallëzimi të rrezikshëm", thonë analistet Heather Conley dhe Rachel Ellehuus të Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS), një grup kërkimor në Uashington.

Ato theksojnë në një raport se veprimet e Erdoganit "sfidojnë në mënyrë thelbësore koherencën e qëndrimit të mbrojtjes kolektive të NATO-s në Mesdhe".

"Për të shmangur këtë," thonë analistet, aleatët perëndimorë "duhet ta trajtojnë paqëndrueshmërinë në rritje në Mesdhe duke u angazhuar në një politikë integruese që kërkon të ulë përshkallëzimin e tensioneve dhe të përcaktojë, me Ankaranë, interesat e përbashkëta, duke identifikuar disa parime për mbarëvajtjet rajonale për të cilat është rënë dakort". Ato shtojnë se: "nëse Turqia nuk është e gatshme të bashkohet me një iniciativë të tillë, mund të priten tensione më të mëdha transatlantike".

Megjithë ankesqat për një konspiracion ndërkombëtar anti-turk, disa analistë theksojnë se zoti Erdogan është ndihmuar edhe nga mungesa e bashkëpunimit mes vendeve perëndimore dhe nga hezitimi i tyre.

Zyrtarët perëndimorë nuk kanë qënë të gatshëm të vendosin sanksione të tjera ose të zbatojnë ato ekzistueset.

Shtetet e Bashkuara po ashtu kanë hezituar. Sekretari i Shtetit Mike Pompeo ka thënë se kërkimet e paligjshme të Turqisë në ujrat territoriale të Qipros “janë të papranueshme”, por admninistrata e Presidentit Trump nuk ka ndërmarrë ndonjë hap konkret dhe ende nuk ka vendosur sanksione pas blerjes nga Turqia të sistemit rus të mbrojtjes nga raketat S-400, një veprim që është konsideruar si shkelje e angazhimeve ndaj NATO-s.

Presidenti Erdogan është përplasur shpesh me Presidentin Trump, por Uashingtoni nuk i është kundërvënë Ankarasë, duke zgjedhur rrugën e negociatave të fshehta. Të dy udhiheqësit i bashkonte të paktën një gjë, antipatia për Bashkimin Evropian. Por kjo do të ndryshojë vitin e ardhshëm dhe Erdogani pritet të përballet mer një udhëheqës amerikan që nuk do ta falë kaq lehtë, sipas diplomatëve perëndimorë.

Që pas zgjedhjeve amerikane, Erdogani ka dërguar sinjale se ai di të përshtatet. Disa orë pas zgjedhjeve amerikane, dhëndëri i Presidentit Erdogan, Berat Albayrak, dha dorëheqjen si ministër i ekonomisë. Albayrak ishte mik i ngushtë me Jared Kushner, dhëndëri i Presidentit Trump.

Presidenti Turk po ashtu ka lënë të kuptohet se do të fillojë një seri refomash ekonomike dhe ligjore, duke u dhënë përparësi reformave që forcojnë demokracinë dhe përmirësojnë të drejtat e njeriut, një njoftim që është komentuar se u bë për t’i paraprirë ndryshimit të rrethanave në Uashington. Presidenti i zgjedhur Biden ka premtuar të organizojë vitin tjetër një takim global të nivelit të lartë për demokracinë./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat