OBT arbitër mes Australisë dhe Kinës

Bota

OBT arbitër mes Australisë dhe Kinës

Më: 16 dhjetor 2020 Në ora: 13:40
Pekini vendosi së fundmi të aplikojë tarifa doganore deri 80 për qind më të larta mbi elbin nga Australia

Australia i ka kërkuar Organizatës Botërore të Tregtisë të hetojë qëndrimet e Kinës për sa i përket tarifave të pajustifikueshme që po rëndojnë eksportuesit australianë.

Pekini vendosi së fundmi të aplikojë tarifa doganore deri 80 për qind më të larta mbi elbin nga Australia, eksportet e të cilit kapnin vlerën deri 1 miliard dollarë vitin e kaluar.

Muajin e kaluar, pala kineze vendosi tarifa deri 212 për qind më të larta edhe mbi verërat, me pretendimin se politikat e dumpingut po dëmtonin konkurrentët kinezë.

“Shqetësimet tona në lidhje me Kinën i kemi ngritur në disa raste. Besojmë se një arbitër i paanshëm është tani mënyra për t’i zgjidhur këto mosmarrëveshje,” deklaroi ministri australian i Tregtisë.

Të paktën 13 sektorë janë prekur nga masat shtrënguese kineze, nga mishi, te eksportet e qymyrit, bakrit, aragostave, sheqerit, drithërat, pambuku, studimi në universitete madje edhe turizmi.

Ndërkohë procesi i arbitrimit në OBT pritet të zgjatë me vite dhe mund t’i përkeqësojë edhe më tej raportet dypalëshe.

Tensionet dhe ajo që po quhet si luftë tregtare në hije mes dy shteteve, vijojnë prej muajsh.

Australia është një prej vendeve që ka kërkuar një hetim ndërkombëtar kundër Pekinit për përhapjen e koronavirusit në botë, ka akuzuar qeverinë kineze për situatën në Hong-Kong dhe ka përjashtuar kompanitë kineze nga zhvillimi i rrjetit celular 5G pasi cenojnë sigurinë kombëtare.

Të mërkurën, Kina refuzoi të komentojë dërgimin e çështjes së tarifave në OBT, por sqaroi se politikat e vendit janë deri diku edhe reciproke.

“I kemi përsëritur shumë herë praktikat diskriminuese të cilat shkojnë përkundër normave ndërkombëtare dhe që Australia vazhdon t’i ushtrojë ndaj kompanive kineze. Qeveria australiane duhet t’i trajtojë seriozisht shqetësimet tona,” tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat