OKB paralajmëron për rrezikun ndaj 120 mijë njerëzve në Siri

Bota

OKB paralajmëron për rrezikun ndaj 120 mijë njerëzve në Siri

Më: 31 janar 2021 Në ora: 21:41
Fëmijët në një kamp të përmbytur nga vërshimet afër fshatit Kafr Uruq në provincën e Idlibit në Siri më 17 janar 2021, ku strehohen sirianët e zhvendosur nga konflikti.

Agjencitë humanitare të Kombeve të Bashkuara paralajmërojnë se më shumë se 120 mijë njerëz që janë larguar nga veriu i Sirisë, prej disa javësh po përpiqen të mbijetojnë nga shiu i rrëmbyeshëm dhe erërat e forta që kanë përmbytur dhe dëmtuar rëndë kampin ku jetojnë.

Zyra e Kombeve të Bashkuara për Koordinim të Çështjeve Humanitare e quajti situatën “katastrofike” dhe se personeli humanitar po punon pa pushim për rihapjen e rrugëve të dëmtuara në mënyrë që të arrijnë t’u japin ndihmë emergjente viktimave të kësaj fatkeqësie.

Zëdhënësi i organizatës Jens Laerke njofton se vërshimet kanë shkatërruar të paktën 21 mijë e 700 çadra ku strehoheshin dhjetëra mijëra njerëz. Ai thotë se një fëmijë vdiq ndërsa tre persona tjerë janë lënduar.

“Shumë njerëz po luftojnë për mbijetesë sepse ushqimet e tyre, objektet shtëpiake dhe pasuritë e tyre humbën nga vërshimet ndërsa burimet e ujit u ndotën”, thotë ai. “Në disa raste, fëmijët e vegjël, të moshuarit, gratë shtatëzëna dhe njerëz të tjerë të pambrojtur ngelën të bllokuar në zona të largëta në baltë, ndërsa temperaturat shënuan nën zero”, vazhdon zoti Laerke.

Viktimat janë mes 2.7 milionë njerëzve që u larguan nga luftimet në Idlib dhe pjesë të tjera të veriperëndimit të Sirisë. Në nëntor, forcat qeveritare të mbështetura nga Rusia shtuan ofensivën ushtarake në Idlib, zona e fundit në Siri që kontrollohet nga rebelët.

OKB raporton shtim të sulmeve ajrore ndërsa luftimet në tokë detyruan më shumë se 235 mijë njerëz në Idlib të braktisin shtëpitë mes 12 dhe 25 dhjetorit.

Jens Laerke thotë se duhet mbështetje ndërkombëtare për mijëra njerëz që për ditë të tëra kanë mbetur pa furnizime dhe shërbime themelore.

“Ekipet humanitare po përpiqen të rihapin rrugët e hyrjes për të ndihmuar sirianët e zhvendosur me ushqim, ujë të pastër dhe furnizime të tjera”, tha ai. “Është punë e madhe dhe puna do të vazhdojë për muaj të tërë. Deri tani, reagimi ndërkombëtar nuk përkon me nivelin e krizës”.

OKB njofton se ka grumbulluar më pak se gjysmën e 49 milionë dollarëve të kërkuar për të ndihmuar njerëzit që po përballen me të ftohtin e dimrit dhe vërshimet./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat