OKB-ja: Koreja Veriore ka zhvilluar armë bërthamore me para të vjedhura nga sulmet kibernetike

Bota

OKB-ja: Koreja Veriore ka zhvilluar armë bërthamore me para të vjedhura nga sulmet kibernetike

Më: 9 shkurt 2021 Në ora: 08:58
Foto ilustrim

Koreja Veriore i ka mirëmbajtur dhe i ka zhvilluar programet e veta raketore dhe bërthamore gjatë tërë vitit 2020 në kundërshtim me sanksionet ndërkombëtare dhe këto programe i ka financuar me rreth 300 milionë dollarë të vjedhur përmes sulmeve kibernetike, thuhet në një raport konfidencial të Kombeve të Bashkuara, të parë nga agjencia Reuters.

Në raportin e vëzhguesve të pavarur të sanksioneve thuhet se Piongiangu ka prodhuar material të zbërthyeshëm, ka mirëmbajtur qendra bërthamore dhe e ka përditësuar infrastrukturën e vet balistike dhe në të njëjtën kohë ka vazhduar të kërkojë material dhe teknologji për këto programe nga jashtë.

Raporti vjetor që i dërgohet komisionit të Këshillit të Sigurimit për sanksione ndaj Koresë Veriore vjen vetëm pak javë pas ardhjes në pushtet të presidentit Joe Biden në Shtetet e Bashkuara, shkruan Reuters.

Lideri i Koresë Veriore, Kim Jong Un, dhe ish-presidenti amerikan, Donald Trump, u takuan tri herë më 2018 dhe 2019, por dështuan që të arrinin përparim sa u përket thirrjeve të Shteteve të Bashkuara ndaj Koresë Veriore për të hequr dorë nga armët bërthamore dhe kërkesës së vendit komunist për largimin e sanksioneve.

Vitin e kaluar, Koreja Veriore prezantoi raketa të reja me rreze të shkurtër dhe të mesme veprimi si dhe sisteme të raketave balistike ndërkontinentale në parada ushtarake, thuhet në raportin e Kombeve të Bashkuara.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat