Çfarë do të thotë për Jemenin ndalja e ndihmës së SHBA-së për sauditët?

Bota

Çfarë do të thotë për Jemenin ndalja e ndihmës së SHBA-së për sauditët?

Më: 9 shkurt 2021 Në ora: 17:31
Rebelët Huthi në kryeqytetin e Jemenit, Sanaa. Fotografi nga arkivi.

Njoftimi i presidentit amerikan, Joe Biden se Shtetet e Bashkuara nuk do të mbështesin më koalicionin e udhëhequr nga sauditët në luftën kundër rebelëve Huthi në Jemen, me gjasë do të rrisë presionin ndaj Mbretërisë Saudite që ta ndalë fushatën atje. Megjithatë, arritja e një paqeje të qëndrueshme në vendin më të varfër arab vazhdon të mbetet në pikëpyetje.

Rebelët Huthi, që mbështeten nga Irani, kanë prezencë të fuqishme në pjesën veriore të Jemenit dhe kanë nën kontroll kryeqytetin, Sanaa. Pjesa tjetër e shtetit është nën kontrollin e aleancave fisnore, rajonale dhe politike, ku që të gjitha mbështeten nga koalicioni i udhëhequr nga sauditët. Të gjitha palët po luftojnë në këtë shtet që prej vitit 2015.

Mënyra se si do të reagojnë forcat e këtyre fraksioneve do të jetë kyçe për Kombet e Bashkuara dhe Perëndimi e shtetet rajonale do të mundohen të gjejnë një rregullim politik për ndarjen e pushtetit, që do të ishte i pranueshëm nga të gjitha palët. Historia moderne e Jemenit, që është përshkruar me trazira, sugjeron se çdo marrëveshje do të jetë e vështirë e arritshme dhe më e vështirë që të zbatohet.

Kush po lufton në Jemen?

Lufta në Jemen nisi në shtator të vitit 2014, kur Huthit morën nën kontroll kryeqytetin Sanaa dhe nisën marshim drejt jugut, në tentim për të marrë nën kontroll të gjithë shtetin. Arabia Saudite, së bashku me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe shtete të tjera, hyn në luftë në mars të vitit 2015 përkrah Qeverisë së Jemenit që njihet ndërkombëtarisht.

Lufta ka lënë të vrarë rreth 130,000 persona, përfshirë mbi 13,000 civilë, thuhet në shifrat e publikuara nga Projekti për vendndodhjen e konflikteve të armatosura. Grupi i ndihmës Save the Chidren, vlerëson se 85,000 fëmijë nën moshën 5 vjeçe kanë vdekur nga uria apo nga sëmundjet, që prej se ka nisur lufta. Ndërkaq, pandemia e koronavirusit është e pakontrolluar teksa sistemi shëndetësor i Jemenit është shkatërruara nga lufta dhe Huthit po fshehin informatat lidhur me krizën.

Lufta po ashtu ka qenë e përshkruar me mizori të kryera nga të gjitha palët. Koalicioni i udhëhequr nga sauditët në sulmet ajrore ka përdorur bomba të prodhuara nga amerikanët. Me to, thuhet se ka bombarduar shkolla ku janë vrarë nxënës dhe civilë. Emiratet e Bashkuara Arabe kanë paguar luftëtarët lokalë të Al-Kaidës për të shmangur luftimet direkte dhe në burgjet që ata kontrollojnë thuhet se është ushtruar torturë dhe të burgosurit janë abuzuar seksualisht. Ndërkaq, rebelët Huthi punësojë fëmijë ushtarë për të vendosur mina tokësore.

Pse ka luftë në Jemen?

I ndodhur në pjesën jugore të Gadishullit Arabik, Jemeni ka qenë i ndarë në Luftën e Ftohtë në mes të një republike marksiste në jug dhe një republike veriore. Të dy vendet u shndërruan në Jemen të unifikuar më 1990, shtet ky që zhvilloi një luftë civile më 1994 dhe më pas u sundua nga Ali Abdullah Saleh, një pushtetar i fuqishëm që njëherë e kishte përshkruar qeverisjen e mijërave grupeve fisnore, militante dhe aleancave të ndryshme në kombin e tij si “vallëzim me koka gjarpërinjsh”.

Por, Saleh filloi që ta humbiste pushtetin gjatë protestave të Pranverës Arabe një dekadë më parë. Ai më pas u pajtua që zëvendëspresidenti, Abed Rabbo Mansour Hadi të merrte udhëheqjen e vendit. Qeveria e Hadit u përball me vështirësi dhe Saleh, duke e parë këtë si mundësi për t’u rikthyer në pushtet, urdhëroi forcat e tij që të rreshtoheshin përkrah rebelëve Huthi, kur ata morën kontrollin e kryeqytetit Sanaa më 2014. Saleh, në kohën sa ishte president, kishte luftuar kundër rebelëve Huthi. Por, Saleh sërish ndërroi anë, duke mbështetur Hadin, por Huthit e vranë atë më 2017.

Irani, duke dashur këtë mundësi që të ndihmojë një luftë kundër rivales, Arabisë Saudite, ka mbështetur rebelët Huthi. Shtetet arabe, Perëndimi dhe ekspertët e Kombeve të Bashkuara thonë se Irani ka armatosur Huthit me gjithçka, duke filluar nga pushkët e deri te raketat balistike, pretendime këto që janë mohuar nga Teherani, pavarësisht se provat thonë të kundërtën. Arabia Saudite dhe aleatët e saj në Gjirin Persik kanë frikë se rebelët Huthi mund të bëhen aq të fuqishëm sa grupi militant, Hezbollah i Libanit. Huthit tashmë kanë kryer sulme me raketa dhe dronë brenda Arabisë Saudite.

Gjatë kësaj kohe, varfëria endemike në Jemen, mungesa e ujit dhe burimeve të tjera janë përkeqësuar. Lufta thjeshtë rëndoi mjerimin në këtë shtet dhe 29 milionë banorë të saj tashmë janë në prag të urisë.

Pse është e përfshirë SHBA-ja?

Ka një tjetër konflikt të fshehur brenda luftës së Jemenit që drejtpërsëdrejti përfshin SHBA-në. Amerika ka pasur në cak anëtarët e Al-Kaidës në Gadishullin Arabik, të cilët nga Uashingtoni konsiderohen si grupi militant më i rrezikshëm, përgjegjëse për sulmet e 11 shtatorit. Në vitin 2000, militantët e Al-Kaidës sulmuan anijen amerikane USS Cole, që ishte e stacionuar në qytetin port të Jemenit, Aden, duke vrarë 17 marinarë amerikanë.

Çdo presidentë amerikanë, që prej George W.Bushit, ka kryer sulme me dronë në Jemen, duke vrarë mbi 1,300 persona, përfshirë edhe të paktën 115 civilë, thuhet në të dhënat e organizatës me bazë në Uashington, New America. Forcat amerikane kanë operuar në Jemen që prej se Saleh ishte në pushtet dhe më pas u larguan. Forcat speciale amerikane vazhdimisht janë dërguar në Jemen për të kryer operacione, përfshirë edhe gjatë presidencës së Donald Trumpit, ku u vra një ushtar amerikan, por edhe militantë të Al-Kaidës dhe civilë.

Ndërkaq, bombat dhe avionët luftarakë që SHBA-ja ia ka shitur Arabisë Saudite, më vonë janë përdorur nga kjo e fundit në sulmet ajrore në Jemen, që po ashtu kanë vrarë civilë. Administrata e ish-presidentit Barack Obama më 2015, fillimisht ofroi asistencë ndaj komandës për kontroll të Arabisë Saudite, që kishte për qëllim të minimizonte numrin e viktimave të civilëve nga sulmet ajrore. Por, kjo gjë nuk ndodhi dhe Obama u tërhoq nga ky program. Nën udhëheqjen e Trumpit, asistenca vazhdoi edhe pse administrata e tij më vonë ndaloi furnizimin me karburant me avionët sauditë.

SHBA-ja po ashtu ka dërguar trupa në Arabinë Saudite pas sulmit me dronë dhe raketa më 2019 që përgjysmoi përkohësisht prodhimin e saj të naftës. Teksa Huthi mori përsipër këtë sulm, Arabia Saudite, SHBA-ja dhe ekspertët e OKB-së besojnë se sulmi u krye nga Irani.

Presidenti i ri amerikan, Joe Biden e ka bërë të qartë se SHBA-ja “do të vazhdojë të mbështesë Arabinë Saudite që të mbrojë popullin e saj si dhe sovranitetin dhe integritetin e shtetit”.

A do të përfundojë kjo luftë?

Njoftimi i Bidenit u duk se u bë për të krijuar një presion të ri mbi Arabinë Saudite që të përfundojë fushatën e saj dhe të koalicionit që ajo udhëheq në Jemen. Emiratet e Bashkuara Arabe kanë tërhequr forcat nga terreni më 2019 dhe ky shtet po bën thirrje që një zgjidhje për këtë konflikt të arrihet përmes negociatave. Princi saudit, Khalid bin Salman që është zëvendësministër i Mbrojtjes dhe njëherësh djali i Mbretit Salman ka shkruar në Twitter se shteti i tij dëshiron të punojë drejt “zbatimit të një zgjidhjeje të qëndrueshme politike” në Jemen. Kjo luftë ka qenë e kushtueshme dhe e përgjakshme për babanë e tij si dhe për Princin e Kurorës, Mohammed bin Salman.

Megjithatë, përpjekjet e mëparshme të OKB-së për t’i dhënë fund konfliktit ende nuk kanë dhënë rezultat. Ndërkaq, aleatët e Emirateve të Bashkuara arabe, kanë luftuar hapur me anëtarët e tjerë të koalicionit. Çdo paqe ndërmjet koalicionit të udhëhequr nga sauditët dhe rebelët Huthi, mund të bëjë që edhe në të ardhmen, Jemeni të jetë i ndarë./Rel/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat