IAEA: Irani po e shkel marrëveshjen bërthamore

Bota

IAEA: Irani po e shkel marrëveshjen bërthamore

Më: 11 shkurt 2021 Në ora: 10:37
Rafael Grossi, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA).

Irani ka filluar të prodhojë sasi të vogla uranium të metalit, tha kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), Rafael Grossi.

Kjo përbën edhe një shkelje të marrëveshjes bërthamore të Teheranit me fuqitë botërore të arritur në vitin 2015. Grossi u tha vendeve anëtare se inspektorët kanë gjetur 3.6 gram uranium të metalit në një impiant bërthamor në Isfahan të Iranit.

Edhe pse kjo është një sasi e vogël dhe nuk ka kaluar në procesin e pasurimit, metali i uraniumit mund të përdoret për të krijuar bazën e një arme bërthamore.

Në bazë të marrëveshjes bërthamore të arritur nga Irani, Shtetet e Bashkuara, Kina, Rusia, Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe u vendos që Teherani të ndalë për 15 vjet prodhimin e një lënde të tillë.

Ish-presidenti, Donald Trump tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga pakti bërthamor më 2018 dhe vendosi përsëri sanksione shkatërruese ndaj Teheranit. Si kundërpërgjigje, Teherani gradualisht filloi me shkeljen e marrëveshjes.

Në muajin janar Irani njoftoi se e ka në plan të zhvillonte hulumtime për prodhimin e uraniumit të metalit duke thënë se lënda është e nevojshme për një reaktor kërkimor në Teheran.

Menjëherë pas këtij njoftimi, Gjermania, Franca dhe Britania thanë se janë “shumë të shqetësuara”.

Shkelja e fundit e marrëveshjes nga ana e Iranit komplikon edhe më shumë mosmarrëveshjet mes Teheranit dhe Uashingtonit për të ardhmën e paktit bërthamor.

Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden ka thënë se do të përpiqet të ngjallë diplomacinë karshi Iranit, por vetëm nëse paraprakisht Teherani i kthehet zbatimit të marrëveshjes.

Zyrtarët iranianë këmbëngulin që Shtetet e Bashkuara duhet së pari të heqin sanksionet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat