Pasojat afatgjata të COVID-19, 1 në 10 pacientë të prekur përjetojnë simptoma edhe 12 javë pas infektimit

Bota

Pasojat afatgjata të COVID-19, 1 në 10 pacientë të prekur përjetojnë simptoma edhe 12 javë pas infektimit

Më: 25 shkurt 2021 Në ora: 19:04
Foto ilustrim

Ekspertët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë publikuan këtë të enjte një raport ku thuhet se mijëra pacientë me COVID-19 vazhdojnë të vuajnë simptoma të zgjatura shumë muaj pas infektimit me virusin corona, çka ka sjellë edhe pasoja të rënda sociale, shëndetësore dhe ekonomike në jetët e tyre.

Raporti i titulluar “Pasojat afatgjata të COVID-19” tregon se një ndër 10 pacientë të prekur nga COVID-19 vazhdojnë të përjetojnë shqetësime me gjendjen shëndetësore edhe 12 javë pas prekjes nga virusi, ndërkohë disa prej tyre i përjetojnë edhe më gjatë këto simptoma.

“Ju keni dëgjuar se si kjo sëmundje mund të shkaktojë një gjendje të tejzgjatur debulese. Personat që kane kaluar COVID përshkruajnë simptoma si dhimbje muskujsh, lodhje, vështirësi ne frymëmarrje dhe atë që disa e quajnë mjegullim të mendjes”, tha Martin Mckee, profesor në Observatorin Europian të Sistemeve Shëndetësore.

Hans Kluge, drejtori për Europën në OBSH tha se simptomat e tejzgjatura të COVID mund të kenë një impakt negativ në shëndetin dhe ekonominë e personave, dhe si pasojë duke ndikuar edhe në punësimin e tyre. Ai u bëri thirrje autoriteteve të dëgjojnë shqetësimet e pacientëve, t’i marrin ata seriozisht dhe t’i vijnë në ndihmë atyre që kanë nevojë.

“Shqetësimi është real dhe duhet adresuar: një në dhjetë pacientë me COVID-19 vazhdon të ketë shqetësime edhe pas 12 javësh nga infektimi, për disa kjo zgjat edhe më shumë. Ne duhet të dëgjojmë dhe të kuptojmë. Ata që vuajnë nga simptomat e post-COVID duhet të dëgjohen nëse ne duam të kuptojmë pasojat afatgjata të COVID-19. Ky është një prioritet për OBSH-në, dhe i një rëndësie të veçantë. I njëjtë duhet të jetë shqetësimi edhe për të gjitha autoritetet shëndetësore”, u shpreh Hans Kluge, drejtor për Europën në OBSH.

Një raport i Institutit Britanik të Kërkimeve Shëndetësore tregonte se pasojat afatgjata të COVID-19 mund të shfaqen në formën e disa simptomave që preknin trupin dhe mendjen e njeriut. Kluge nënvizoi se ashtu si për çdo sëmundje të re, shumë aspekte të COVID-19 mbeten të panjohura.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat