Siria dënon sulmet amerikane kundër milicive pro-iraniane

Bota

Siria dënon sulmet amerikane kundër milicive pro-iraniane

Më: 26 shkurt 2021 Në ora: 21:55
Foto ilustrim

Siria ka thënë të premten se sulmet amerikane kundër milicisë pro-iraniane, në lindje të shtetit, kanë qenë akte frikacake dhe i ka bërë thirrje presidentit amerikan Joe Biden që të mos ndjekë “ligjin e xhunglës”.

Një zyrtar i milicisë irakiane, i afërt me Iranin, ka thënë se sulmet kanë vrarë një luftëtar dhe kanë plagosur katër të tjerë.

Zyrtarët amerikanë kanë thënë se kanë pasur të kufizuar fushën e veprimit teksa kanë treguar se administrata e Bidenit do të veprojë me vendosmëri, ndërkohë që tenton të parandalojë një përshkallëzim të madh rajonal.

Uashingtoni dhe Teherani janë duke tentuar të ruajnë marrëveshjen bërthamore, që Irani ka nënshkruar më 2015 me fuqitë botërore, mirëpo nga e cila SHBA-në, e ka larguar paraardhësi i Bidenit, Donald Trump.

Që nga ajo kohë marrëdhëniet mes këtyre dy vendeve kanë qenë të tensionuara.

“Siria dënon në nivelin më të lartë sulmin frikacak të SHBA-së në zonën Deil al-Zor, afër kufirit mes Sirisë dhe Irakut”, ka thënë Ministria e Jashtme e Sirisë, përmes një deklarate.

“Administrata Biden është supozuar se do të zbatonte legjitimitetin ndërkombëtar, jo ligjin e xhunglës sikurse ka vepruar administrata e kaluar”.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane Saeed Khatibzadeh, ka dënuar sulmet amerikane, duke i konsideruar “agresion joligjor” dhe shkelje të të drejtave të njeriut, ashtu sikurse ligjit ndërkombëtar.

Sulmet ajrore, të orëve të para të së premtes, kanë shënjestruar zonat e milicisë në anën siriane të kufirit mes Irakut dhe Sirisë, ku grupet e përkrahura nga Irani kontrollojnë një pikë të rëndësishme të kalimit të armëve, personelit dhe mallrave.

Zyrtarët perëndimorë dhe disa zyrtarë irakianë kanë akuzuar grupet e përkrahura nga Irani për përfshirje në sulmet vdekjeprurëse me raketa në zonat amerikane dhe ndaj personelit të SHBA-së në Irak, muajin e kaluar.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki, ka thënë se sulmet ajrore në Siri synojnë të dërgojnë mesazhin se Biden do të veprojë për të mbrojtur amerikanët./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat