Pavarësisht prej mijëra të burgosurve, Erdogan paraqet planin për të drejtat e njeriut

Bota

Pavarësisht prej mijëra të burgosurve, Erdogan paraqet planin për të drejtat e njeriut

Nga: Sherif Ramabaja Më: 3 mars 2021 Në ora: 12:04
Rexhep Tajip Erdogan

Presidenti turk Erdogan dëshiron të forcojë gjyqësorin dhe lirinë e shprehjes - dhe kështu të sigurojë më shumë sundimin e ligjit. Në të njëjtën kohë, politikanët dhe gazetarët e opozitës qëndrojnë në burg. Kritikët nuk shohin asgjë më shumë se një mjegull tymi në planet.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka paraqitur një të ashtuquajtur plan veprimi për të drejtat e njeriut. Plani me njëmbëdhjetë pika parashikon një forcim të shtetit ligjor dhe pavarësisë së gjykatave në Turqi, tha Erdogan në një fjalim televiziv. Një komitet do të monitoronte kushtet në burgje dhe do të përgadiste një raport vjetor për të drejtat e njeriut. Prandaj, plani përfshinë gjithashtu respektimin e prezumimit të pafajësisë në gjykatë dhe një shkurtim të paraburgimit përmes procedurave më të shpejta ligjore.

"Askush nuk duhet të privohet nga liria e tij e shprehjes, për shkak të mendimit të tij të lirë," tha kreu i shtetit turk, i cili ka ndërmarrë veprime ligjore kundër mijëra njerëzve në rrjetet online për gjoja fyerjen e presidentit në vitet e fundit. Plani i veprimit është një bazë e rëndësishme për një kushtetutë të re, e cila duhet të miratohet në njëqindvjetorin e republikës turke në 2023, shtoi presidenti. Megjithatë, Erdogan mbeti i paqartë në njoftimin e tij.

"Përmirësimi i lirisë së shprehjes, organizimit dhe fesë është qëllimi për të cilin kemi punuar më shumë deri më sot," u tha ai ministrave dhe zyrtarëve të tjerë të qeverisë. Ligjet dhe zbatimi i tyre do të shqyrtohen dhe po ashtu do të merren masat e mëtutjeshme të nevojshme, vazhdoi Erdogan. Vendi i tij gjithashtu dëshiron të përshpejtojë përpjekjet për çështjen e liberalizimit të vizave me BE.

Njoftimet u bënë disa javë para një takimi të nivelit të lartë të BE në Bruksel, në të cilin takim, krerët e shteteve dhe qeverive duan të hartojnë një udhërrëfyes për marrëdhëniet e ardhshme me Turqinë. Marrëdhëniet midis Ankarasë dhe vendeve perëndimore ishin përkeqësuar që nga viti 2016, si shkas ishte veçanërisht, marrëdhëniet e ashpra të Erdoganit me kundërshtarët e tij politikë, gjithashtu me mediat kritike dhe shoqërinë civile.

Njoftimet e Erdoganit "tingëllojnë si një rrëfim"

Njoftimet e fundit të Presidentit u ndeshën me skepticizëm midis opozitës turke. Erdogan ka renditur pikërisht temat "në të cilat Turqia dhe AKP në të kaluarën kishin bërë hapa mbrapa në vend se të orientoheshin përpara.Tash atë që thot Erdogan dukej si një rrëfim i bukur," shkroi politikani i CHP Onursal Adigüzel në Twitter.

Avokati i mirënjohur i mediave dhe i të drejtave të njeriut Veysel Ok shkroi në Twitter, se kur bëhet fjalë për të drejtat e njeriut, vendimi më i mirë për të filluar është lirimi i "të burgosurve politikë" të tillë si politikani i opozitës pro-kurde Selahattin Demirtas, autori Ahmet Altan dhe promovuesi kulturor Osman Kavala.

Kavala është në paraburgim që nga nëntori i vitit 2017, Demirtas është në burg që nga nëntori 2016. Në të dy rastet, Turqia dështoi të zbatojë vendimet nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut mbi lirimin. Si një anëtar i Këshillit të Evropës, Turqia në të vërtetë është e lidhur me vendimet e KEDNJ-së. Kohët e fundit, presioni i presidentit ndaj partisë pro-kurde të opozitës HDP ishte rritur gjithashtu ndjeshëm. Erdogan vazhdimisht akuzon anëtarët e partisë HDP, duke i krahasuar veprimet e tyre politike, si çështje të përbashkëta me terroristët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat