Zyrtarët vizitojnë kufirin SHBA-Meksikë mes rritjes së fluksit të emigrantëve

Bota

Zyrtarët vizitojnë kufirin SHBA-Meksikë mes rritjes së fluksit të emigrantëve

Më: 7 mars 2021 Në ora: 21:36
Sekretari i Sigurisë Kombëtare Alejandro Mayorkas

Sekretari i Sigurisë Kombëtare Alejandro Mayorkas udhëhoqi vizitën e një delegacioni të zyrtarëve të administratës së Presidentit Biden në kufirin e Shteteve të Bashkuara me Meksikën të shtunën mes rritjes së numrit të atyre që po hyjnë në vend e kritikave nga republikanët se kjo po krijon një krizë të imigracionit.

Presidenti demokrat Joe Biden po përpiqet të ndryshojë politikat e ashpra të imigracionit të vendosura nga paraardhësi i tij, ish-Presidenti Donald Trump, i cili zgjedhjet e vitit 2016 dhe presidencën katër-vjeçare i dominoi pjesërisht me përpjekjet për të ndërtuar një mur kufitar dhe për të zvogëluar numrin e emigrantëve të ligjshëm e të paligjshëm që vijnë në Shtetet e Bashkuara.

Edhe Presidenti Biden është përballur me kritika nga aktivistët e imigracionit, të cilët thonë se fëmijët dhe familjet e emigrantëve po mbahen shumë gjatë në qendrat e paraburgimit, në vend që të lirohen ndërsa shqyrtohen kërkesat e tyre për azil.

Shtëpia e Bardhë tha javën e kaluar se Presidenti Biden u kishte kërkuar anëtarëve kryesorë të stafit të tij që të shkonin në kufi për të raportuar në lidhje me fluksin e të miturve të pashoqëruar që hyjnë në vend. Ai nuk pranoi në atë kohë të jepte më shumë detaje në lidhje me periudhën se kur parashikohej kjo vizitë, duke përmendur shqetësimet lidhur me sigurinë dhe privatësisë.

Në një deklaratë të lëshuar të dielën Shtëpia e Bardhë njoftoi se gjatë vizitës së tyre të shtunën Sekretari Mayorkas dhe zyrtarë të tjerë, përfshirë këshilltaren e politikës së brendshme të Presidentit Biden, Susan Rice, vizituan një strukturë të patrullimit kufitar dhe një qendër ku sistemohen refugjatët.

"Ata diskutuan mbi nevojat e rritjes së kapaciteteve, duke patur parasysh numrin e fëmijëve dhe familjeve që po mbërrijnë në kufirin tonë, sfidat komplekse me rindërtimin e infrastrukturës sonë kufitare dhe sistemin e imigracionit, si dhe përmirësimet që duhet të bëhen në mënyrë që të rikthehen procedurat e sigurta dhe efikase të procesimit, strehimit dhe sistemimit të fëmijëve të pashoqëruar në familje ose sponsorë", tha Shtëpia e Bardhë.

"Zyrtarët diskutuan gjithashtu mënyrat për të siguruar një trajtim të drejtë dhe njerëzor të emigrantëve, sigurinë e personelit që merret me këtë çështje dhe mirëqenien e komuniteteve përreth në këtë kohë pandemie globale."

Një fluks njerëzish që synojnë të kalojnë kufirin e Shteteve të Bashkuara ka të ngjarë të bëhet temë e madhe e zgjedhjeve për Kongresin të vitit 2022. Ish-Presidentit Trump mund ta përdorë këtë çështje për të bashkuar bazën e tij kundër Presidentit Biden dhe për të hedhur bazat për një kthim të mundshëm si një kandidat për president në zgjedhjet e vitit 2024 ose për të ngritur profilin e një pasardhësi tjetër republikan.

"Kufiri po shkelet ndërsa ne po flasim. Emigracioni në vitin 2022 do të jetë një çështje më e madhe sesa në vitin 2016", tha senatori republikan Lindsey Graham për kanalit Fox News. Zoti Graham është një aleat i ngushtë i ish-Presidentit Trump. /VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat