Austria dhe 4 shtete tjera ankohen se vaksina s’po shpërndahet në mënyrë të barabartë

Bota

Austria dhe 4 shtete tjera ankohen se vaksina s’po shpërndahet në mënyrë të barabartë

Më: 13 mars 2021 Në ora: 16:11
Sebastian Kurz

Udhëheqësit e Austrisë, Republikës Çeke, Bullgarisë, Sllovenisë dhe Letonisë i kanë shkruar letër Bashkimit Evropian duke bërë thirrje për diskutime rreth shpërndarjes së vaksinave për Covid-19 brenda bllokut pasi Austria u ankua për mungesë të barazisë.

Kancelari austriak, Sebastian Kurz, tha të premten se dozat e vaksinës nuk janë duke u shpërndarë në mënyrë të barabartë në mesin e vendeve anëtare, pavarësisht marrëveshjes brenda bllokut për ta bërë një gjë të tillë sipas numrit të popullsisë. Ai për këtë i fajësoi marrëveshjet e arritura mes bordit të BE-së për vaksina dhe kompanive të ilaçeve.

Kurz shkroi në rrjetet sociale të shtunën se ai dhe katër homologët e tij në letrën e përbashkët kanë bërë thirrje për diskutime që të gjendet një zgjidhje evropiane. Letra e dërguar në adresat e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, u publikua nga mediet austriake.

“Ditëve të fundit, ne kemi zbuluar se shpërndarja e dozave të vaksinave nga kompanitë e barnave në shtetet anëtare të BE-së veç e veç nuk është duke u zbatuar në bazën e barazisë, duke e ndjekur parimin e popullsisë”, thuhet në letër.

“Prandaj, ne ju bëjmë thirrje, Charles, që të mbani një diskutim për këtë çështje të rëndësishme mes liderëve sa më shpejt që është e mundur”, thuhet më tej në letër, shkruan Reuters.

Partitë opozitare e kanë fajësuar kancelarin Kurz se po mundohet që fajin për procesin e ngadalshëm të vaksinimit ta largojë nga vetja. Socialdemokratët thanë se ai po kërkon “kurban” për dështimet e tij.

Një zyrtar i BE-së tha se Michel e ka pranuar letrën dhe se një samit i liderëve tashmë është planifikuar për t’u mbajtur më 25 dhe 26 mars.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat