Përfundon takimi mes Uashingtonit dhe Pekinit

Bota

Përfundon takimi mes Uashingtonit dhe Pekinit

Më: 20 mars 2021 Në ora: 17:17
Takimi mes Uashingtonit dhe Pekinit

Sekretari amerikan i Shtetit dhe Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i dhanë fund bisedimeve me zyrtarët e lartë kinezë që u zhvilluan në Alaksa. Analistët thonë se në politikën amerikane për Kinën nuk presin ndonjë ndryshim të madh nga qasja e administratës së mëparshme.

SHBA dhe Kina përfunduan dje në Alaska dy ditë bisedime të tensionuara. Mosmarrëveshjet kryesore vazhdojnë të jenë mbi trajtimin që Pekini i bën pakicës ujgure myslimane dhe veprimet e tij agresive në Hong Kong, Tibet dhe Tajvan.

“Nuk është për t’u habitur që kur ngritëm këto çështje, qartë dhe drejtë, morëm një përgjigje me justifikime”, tha Sekretari i Shtetit Antony Blinken.

Zhao Lijian është zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Kinës.

“Për Kinën nuk ka vend për kompromis në çështje që kanë të bëjnë me sovranitetin e saj, sigurinë dhe interesat themelore. Vendosmëria dhe vullneti ynë për të mbrojtur interesat tona thelbësore janë të palëkundura.”

Sekretari i Shtetit Antony Blinken tha se çështjet ekonomike, tregtare, teknologjike dhe sulmet kibernetike, do të shqyrtohen me Kongresin dhe aleatët amerikanë për të çuar përpara interesesat e bizneseve dhe punonjësve.

Takimi i parë i administratës së Presidentit Biden me Pekinin vjen pas takimeve të zotit Blinken me aleatët amerikanë në Korenë e Jugut dhe Japoni, mes shtimit të ndikimit të Kinës në Azi.

Sekretari Blinken thotë se qëllimi i takimit ishte përcaktimi i përparësive të administratës Biden, ndërsa ka shumë çështje për të cilat dy vendet nuk pajtohen.

“Interesat tona lidhen në çështje si Irani, Koreja e Veriut, Afganistani dhe klima”, tha kryediplomati Blinken.

Analistët thonë se ndërsa është shumë herët të thuhet se çfarë politike do të ndjekë zoti Biden për Kinën, ata shprehen se nuk presin ndonjë ndryshim të madh nga qasja e administratës së mëparshme. James Jay Carafano është analist me Fondacionin Heritage.

“Ka më shumë gjasa të vazhdojë politika e administratës së kaluar ndaj Kinës. Uashingtoni duhet të identifikojë fushat e mospajtimit me Pekinin dhe të demonstrojë gatishmërinë për mbrojtjen e interesave amerkane. Kështu ka më shumë gjasa që të arrihet më shpejt tek një marrëdhënie e qëndrueshme.”

Analistët thonë se madje edhe me retorikën e ashpër kineze, kryesisht për konsumim të brendshëm, Kina do të donte të zbuste tensionet me Shtetet e Bashkuara. Abby Bard është me Qendrën për Përparim Amerikan.

“Ëndërra kineze është që Amerika të tërhiqet nga përpjekja për të qënë fuqi dominuese në Indo-Paqësor, gjë që nuk do të ndodhë.”

Kjo, sidomos pas asaj që disa analistë i cilësojnë si “marrëdhënie toksike” mes Kinës dhe Amerikës gjatë administratës së Presidentit Trump. Michael Kugelman është analist me Qendrën Wilson.

“Pritej që administrata e Presidentit Biden të ishte në gjendje të zbuste marrëdhënet me Kinën. Por kemi parë që këto marrëdhënie janë acaruar me tej.”

Takimi në Alaska është vetëm hapi i parë, ndërsa analistët thonë se Shtetet e Bashkuara dhe Kina do të ecin përpara por do të duhet kohë që udhëheqja e të dy vendeve të përcaktojë se ç’formë mund të ketë një marrëdhënie e qëndrueshme./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat