Rusia përmes lajmeve të rreme po pengon vaksinimin e suedezëve

Bota

Rusia përmes lajmeve të rreme po pengon vaksinimin e suedezëve

Më: 23 mars 2021 Në ora: 15:46
Foto ilustrim

Ekspertët suedezë të mediave kanë konstatuar që Rusia qëllimisht është duke përhapur lajme të rreme, me qëllim që të ngritë dyshime për vaksinën AstraZeneca dhe vaksinat tjera perëndimore.

Sipas profesorit të komunikimeve strategjike në Universitetin e Lundit, James Pamment propaganda ruse për vaksinën “Sputnik V” dhe dezinformimi rreth vaksinave perëndimore janë intensifikuar muajve të fundit. Përmes intensifikimit të propagandës, Kremlini është duke tentuar që të minojë besueshmërinë e vaksinave tjera dhe të paraqesë “Sputnik V” si të vetmen vaksinë efikase.

Disa nga lajmet e rreme që vijnë nga Rusia tentojnë të ngritin pretendime gjoja se “pandemia është shpikur nga globalistët”, “vaksina Pfaizer është krijuar për të zvogëluar popullsinë botërore”, si dhe “AstraZeneca nuk funksionon”.

Propaganda e mediave ruse shkon deri aty sa publikojnë lajme të tilla si “mjekët moldavë po refuzojnë të vaksinohen me vaksinën AstraZeneca”, “presidenti i Ukrainës i cili është vaksinuar së fundmi ka marrë vetëm një dozë vitaminë dhe jo vaksinë kundër COVID-19”.

Një tjetër dezinformatë e mediave ruse thotë se, “vaksinat e prodhuara në perëndim shkaktojnë infertilitet dhe vdekje”.

Agjencia lajmeve RG.ru, që përdoret nga Kremlini kishte gënjyer se, “gjatë muajit shkurt, si pasojë e efekteve anësore të vaksinës Pfizer, kishin vdekur 64 suedezë”. Fakti se personat që kishin vdekur ishin të shtyrë shumë në moshë dhe që vdekja kishte ardhur si pasojë e moshës së shtyrë, mediumit rus nuk i kishte interesuar dhe nuk e kishte potencuar.

Shembujt e lartcekur për hulumtimin në lidhje me dezinformimin rus, studiuesi Pamment, i kishte marrë nga EEAS, i cili monitoron dezinformimin rus dhe hedhë poshtë deklaratat ruse. Deri tani EEAS ka identifikuar mesë 200 shembuj të lajmeve të rreme në lidhje me vaksinat, lajme të cilat janë përhapur nga Sputnik, Tsargrad.tv, EADaily dhe Russia Today (RT).

Pamment thotë se shumica e lajmeve të rreme që përhapen në Evropë importohen edhe në Suedi. Shqetësimet e opinionit në Suedi në lidhje me COVID-19 i bëjnë suedezët më të prekshëm ndaj këtyre lajmeve.

Studiuesi vlerëson se rreziku që opinioni suedez të dezinformohet nga lajmet e rreme ruse është i vogël, për arsye që opinion në Suedi në rend të parë ju beson medieve dhe institucioneve vendase.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat