Prodhimi i kafesë ka rënë si pasojë e rritjes së temperaturave

Bota

Prodhimi i kafesë ka rënë si pasojë e rritjes së temperaturave

Më: 26 mars 2021 Në ora: 17:06
Foto ilustrim

Një filxhan kafe është një nga kënaqësitë e vogla të jetës, por në të ardhmen e afërt do të jetë më e vështirë dhe më e shtrenjtë sigurimi i saj. Kafeja është ndër të korrat e kërcënuara më së shumti nga ndryshimi i klimës.

Fermerët e kafesë në Kenia, shprehen se plantacionet dhe prodhimi i kafesë janë prekur shumë nga ndryshimet klimatike të viteve të fundit

Për shkak të thatësirës së tej zgjatur, fermerëve iu është dashur të instalojnë sisteme ujitjeje, çka ka ndikuar drejtpërdrejt në marzhin e fitimit të tyre.

Disa prej tyre janë duke çrrënjosur bimët e kafesë, duke i zëvendësuar ato me të mbjella të tjera, si avokado.

Rael Njeru, punonjëse në fermë kafeje dhe nënë e dy fëmijëve shprehu shqetësimin e saj për faktin se fërmerët po vazhdojnë të presin bimët e kafesë me ritëm të shpejtë. Nëse kjo tendencë vazhdon, atëherë shumë shpejt ajo dhe shumë banorë të tjerë në atë zonë do të ngelin pa punë.

“Fermerët po i presin bimët e kafesë. Unë varem nga fermat e kafesë, pasi aty fitoj 400 shilinga në ditë. Nëse fermerët vazhdojnë të presin pemët e kafesë, unë nuk e di se ku do të mund ti gjej ato 400 shilinga apo se çfarë pune tjetër mund të bëj”, tha znj. Njeru.

Në krahasim me vitet 70-të dhe vitet 2000, temperaturat aktuale janë rritur me 1 gradë celsius. Këto kanë sjellë edhe ndryshimet ekstreme të temperaturës, nga netët e ftohta te ditët shumë të nxehta, dhe kjo sipas ekspertëve ka ndryshuar edhe fiziologjinë e bimës së kafesë.

Elijah Gichuru, drejtor i Institutit kërkimor të kafesë, tha se ndryshimet klimatike kanë bërë që reshjet të pakësohen, duke dobësuar bimët e kafesë të cilat kërkojnë kushte të lagështa atmosferike.

“Në Kenya, ne prodhojmë kafe arabike, e cila ka nevojë për kushte të lagështa atmosferike. Për shkak të pakësimit të reshjeve si pasojë e ndryshimeve klimatike, ne kemi një cilësi më të ulët të të korrave dhe sasi më të vogël prodhimi.”

Elijah Gichuru tha gjithashtu se janë shtuar stuhitë që dëmtojnë plantacionet.

 “Për shkak të ndryshimeve klimatike, pjekja e kafesë nuk është uniformë pasi dhe reshjet nuk kanë një periudhë të caktuar si më parë. Për shembull te kjo bimë, këto kokrra kafeje janë gati për tu velur, ndryshe nga ato të gjelbrat. Tashmë duhet më shumë kohë për të arritur maturitetin e duhur”, shtoi Elijah Gichuru.

Plantacionet e kafesë zënë një total prej 110 mijë hektarësh në Kenia. Ata përbëjnë prodhuesin e pestë më të madh në kontinentin afrikan të kafesë arabike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat