Shteti Islamik merr përgjegjësinë për sulmin në Mozambik

Bota

Shteti Islamik merr përgjegjësinë për sulmin në Mozambik

Më: 29 mars 2021 Në ora: 19:20
Pjesëtarë të ushtrisë së Mozambikut - foto arkivi

Grupi militant Shteti Islamik mori përgjegjësinë për sulmin në qytetin Palma të Mozambikut, ku mbetën të vrarë dhjetëra njerëz, përfshirë punëtorë të huaj.

Shteti Islamik tha përmes ueb-faqes së tij Amaq se militantët kanë marrë kontrollin e qytetit pas disa ditësh luftime me forcat e sigurisë.

Grupi tha se ka vrarë së paku 55 njerëz, përfshirë ushtarë, si dhe ka hedhur në erë disa ndërtesa.

“Ushtarët e kalifatit morën qytetin strategjik të Palmës”, tha Shteti Islamik.

Qeveria e Mozambikut konfirmoi të dielën se dhjetëra njerëz janë vrarë në sulmin në Palma, që nisi më 24 mars.

Viktimat përfshijnë së paku një shtetas të Afrikës së Jugut.

Gazeta britanike Times raportoi se një shtetas britanik po ashtu është vrarë.

Palma, qytet me 75,000 banorë, ndodhet në provincën Kabo Delgado. Qysh në vitin 2017, ajo është përfshirë nga një kryengritje që lidhet me Shtetin Islamik.

Mijëra banorë raportohet se braktisën shtëpitë e tyre të hënën, në Palma./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat