Pamje të rënda dhe dëshmi dramatike në javën e parë të gjyqit të ish-policit Chauvin

Bota

Pamje të rënda dhe dëshmi dramatike në javën e parë të gjyqit të ish-policit Chauvin

Më: 3 prill 2021 Në ora: 22:45
Foto

Java e parë e gjyqit të ish-policit të bardhë Derek Chauvin, i cili akuzohet për vrasje në lidhje me incidentin ku mbeti i vdekur afrikano-amerikani George Floyd ndërsa ai ishte nën arrest, u shoqërua me shfaqjen e video-klipeve të rënda dhe dëshmi dramatike nga incidentit. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Mike O’Sullivan njofton se shefat e zotit Chauvin ngritën pikëpyetje për veprimet e ish-policit, ndërsa avokati i tij u përpoq të hidhte hije dyshimi mbi akuzat e ngritura.

Imazhe e rënda të filmuara nga kamerat e vendosura në uniformat e policëve, kamerat e sigurisë dhe nga celularët e kalimtarëve të rastit, ofruan një kronologji të ngjarjes së 25 majit të vitit 2020, ndërsa policia po mundohej të fuste George Floydin në një makinë patrullimi. Derek Chauvin më vonë i vuri gjurin në qafën George Floydit, duke e mbajtur për nëntë minuta e gjysmë.

Kjo nuk është praktikë standarde, tha një zyrtar policie i cili u mor në pyetje nga prokurori Steve Schleicher.

"Çfarë niveli i forcës mund të jetë kjo?", pyeti prokurori Steve Schleicher.

"Kjo do të ishte forcë vdekjeprurëse e nivelit më të lartë", u përgjigj Toger Richard Zimmerman, hetues i rasteve të vrasjeve.

Prokurori Schleicher: "Pse?"

Zimmerman: "Për faktin se nëse i vë gjurin në qafë një personi, kjo mund ta vrasë atë".

Anëtarët e jurisë gjithashtu dëgjuan këtë javë nga kalimtarët e rastit, duke përfshirë një zjarrfikëse që nuk ishte në detyrë, e cila ishte trajnuar për të ofruar ndihmën e shpejtë. Ajo u përpoq të kontrollonte emocionet, duke thënë se ofroi të ndihmonte George Floydin, por një oficer policie nuk e lejoi.

"M’u duk se George Floydit i ishte enjtur fytyra, gjë që ndodh nëse një i rritur rëndon me gjithë peshën mbi qafën e dikujt", tha zjarrëfikësja Genevieve Hansen.

Ekipi mbrojtës i zotit Chauvin e portretizoi George Floydin si një njeri trupmadh nën ndikimin e drogës, që po krijonte një kërcënim të vazhdueshëm, të përkeqësuar nga kalimtarë që rrezikonin ta ndiznin situatën.

Policia po i përgjigjej një raportimi se George Floyd ishte përpjekur të blinte cigare me një kartmonedhë 20 dollarëshe të falsifikuar.

“Unë e pashë 20 dollarëshin. Vërejta se kishte një pigment blu në të, ashtu si 100 dollarëshi. Dhe kjo për mua ishte e çuditshme”, tha Christopher Martin, punonjës dyqani.

Por gjatë incidentit, Christopher Martin tha se ai filloi të ndjente mosbesim dhe faj për mënyrën se si po trajtohej George Floyd.

Një koordinatore e përgjigjes urgjente të policisë që po shikonte drejtpërdrejt videon e incidentit u shqetësua dhe njoftoi njërin nga shefat e saj.

"Diçka mund të mos jetë në rregull", tha Jena Scurry në linjat e komunikimit të policisë.

Rreshteri në pension David Pleoger tha se pasi Floydi u prangos, ishte i shtrirë në tokë dhe nuk po bënte më rezistencë,Oficeri Chauvin duhet t’ia kishte hequr gjurin nga qafa e tij.

Avokati i mbrojtjes, Eric Nelson tha se vdekja e George Floydit nuk u shkaktua nga oficeri, por nga droga dhe probleme me zemrën dhe se polici Chauvin po luftonte për ta vënë nën kontroll Floydin në një situatë që po bëhej gjithnjë e më tensionuar.

Punonjësit e ekipit të ndihmës së shpejtë thanë se George Floydi nuk kishte puls ndërsa ishte shtrirë në tokë. Më vonë ai u fut në një ambulancë, ku përpjekjet për ta sjellë në jetë ishin të pasuksesshme. Gjyqi rifillon të hënën./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat