Afgania pretendon se u ngacmua seksualisht nga zyrtarët kroatë

Bota

Afgania pretendon se u ngacmua seksualisht nga zyrtarët kroatë

Më: 7 prill 2021 Në ora: 20:31
Refugjatja afgane kishte tentuar ta kalonte kufirin bashkë me katër persona të tjerë

Një grua nga Afganistani dyshohet se është abuzuar seksualisht nga zyrtarët kufitarë të Kroacisë që po kontrollonin një grup të refugjatëve në kufi me Bosnjën. Komisioni Evropian e ka quajtur këtë si akuzë serioze për veprime kriminale dhe i ka bërë thirrje Kroacisë që të hetojë të gjitha akuzat.

Sipas dosjeve të Këshillit danez të Refugjatëve, incidenti ka ndodhur më 15 shkurt në territorin kroat, pak kilometra nga qyteti boshnjak, Vellika Kladusha. Refugjatja afgane kishte tentuar ta kalonte kufirin bashkë me katër persona të tjerë, përfshirë dy fëmijë, por ishin ndaluar nga një zyrtar kufitar që ua drejtoi armën.

Afganët kërkuan azil, mirëpo sipas dëshmitarëve, njëri nga zyrtarët kroatë ka shqyer dokumentet e refugjatëve nga Afganistani. Sipas dëshmisë së saj, njëri nga zyrtarët kroatë ia kishte hequr të gjitha rrobat dhe e kishte ngacmuar seksualisht.

“I kam thënë të mos më prekte, sepse jam myslimane. Ai më goditi me flakaresha dhe më tha: ‘nëse je myslimane përse ia ke mësyrë Kroacisë, përse nuk ke qëndruar në Bosnjë me myslimanët”, ka thënë afgania në dëshminë e saj.

Sipas organizatës daneze, që prej majit të vitit 2019 më shumë se 24 mijë refugjatë janë kthyer prapa në Bosnjë nga autoritetet kroate. Qindra prej refugjatëve këmbëzbathur edhe gjatë dimrit kanë tentuar kalimin në Evropën Qendrore. Shumica e tyre janë ndaluar nga policia kroate që shpesh i ka plaçkitur dhe i ka kthyer përsëri në Bosnjë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat