Raporti i DASH, shumë shkelje të të drejtave të njeriut në Turqi, por edhe më të rënda kur bëhet fjalë për ndjekësit e lëvizjes “Gylen”

Bota

Raporti i DASH, shumë shkelje të të drejtave të njeriut në Turqi, por edhe më të rënda kur bëhet fjalë për ndjekësit e lëvizjes “Gylen”

Nga: Bashkim Cmega Më: 9 prill 2021 Në ora: 19:22
DASH

Së fundmi Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar Raportin për të Drejtat e Njeriut 2020, rekordet e të cilit për Turqinë tregojnë për një bjerrje edhe më të ndjeshme të të drejtave të njeriut krahasuar me vitet e kaluara. Në veçanti, ato duken të zbehura gjer në humbje, kur bëhet fjalë për “ndjekësit” e lëvizjes së klerikut mysliman, Fethullah Gylen, i cili jeton në ekzil të imponuar në Shtetet e Bashkuara dhe nuk bëhet më fjalë thjesht për të liri dhe drejta themelore të njeriut, por për kufizime të qëllimshme që shkojnë edhe përtej kanosjes së të drejtës së jetës.

I ndarë, si zakonisht, në tema, që kanë të bëjnë me lëmitë më delikate të të drejtave të njeriut në ditët e sotme, si respekti për integritetin e personit, privimi arbitrar nga kushtet e jetesës dhe ekzekutime të jashtëligjshme të motivuara politikisht, zhdukjet e njerëzve, torturat dhe tortura, sjelljet dhe ndëshkimet e tjera të dhunshme, çnjerëzore dhe degraduese, ndalimet arbitrare dhe burgosja në kushte të papërshtatshme, privimi nga e drejta e shprehjes dhe liria e mendimit, si dhe ajo e opozitës e deri te kufizimi i mundësive të përdorimit të internetit, raporti i këtij viti tregon se këto janë të vlefshme të gjitha veçanërisht për çdo individ, të cilit mund t’i bashkëngjitet akuza edhe më arbitrare për afri me lëvizjen “Gylen”.

Në këtë raport, ndër të tjera, thuhet:

Nën ombrellën e një legjislacioni tejet të gjerë antiterror, miratuar në 2018, qeveria vazhdoi t’i kufizonte liritë themelore edhe më tej, duke kompromentuar sundimin e ligjit. Që nga përpjekja për grusht shteti 2016, autoritetet kanë shkarkuar ose pezulluar më shumë se 60,000 vetë personel policor dhe ushtarak, si dhe afërsisht 125,000 nëpunës civilë, më shumë se një të tretën e gjyqësorit, arrestuan ose burgosën më shumë se 90,000 qytetarë dhe mbyllën më shumë se 1,500 organizata joqeveritare me akuzë “terrorizmin” - arsye të lidhura, kryesisht për afri të pretenduara me lëvizjen e klerikut Fethullah Gylen, të cilin qeveria turke e akuzon për organizimin e përpjekjes për grusht shteti.

Çështje të rëndësishme të të drejtave të njeriut në rrezik bjerrjeje kanë përfshirë edhe: raporte të vrasjeve arbitrare; vdekje të dyshimta të personave në paraburgim; zhdukje me forcë; tortura; arrestim arbitrar dhe ndalim i vazhdueshëm i dhjetëra-mijëra personave, përfshirë politikanë të opozitës dhe ish-anëtarë të parlamentit, avokatë, gazetarë, aktivistë të të drejtave të njeriut dhe punonjës të Misionit Amerikan, për lidhje të supozuara me grupe "terroriste"; ekzistenca e të burgosurve politikë, përfshirë zyrtarët e zgjedhur; hakmarrje e motivuar politikisht kundër individëve të vendosur jashtë vendit; probleme të rëndësishme me pavarësinë e gjyqësorit; kufizime të ashpra në lirinë e shprehjes, shtypin dhe internetin, përfshirë dhunën dhe kërcënimet e dhunës ndaj gazetarëve, mbylljen e mediave dhe arrestime të padrejta ose ndjekje penale të gazetarëve dhe të tjerëve për kritikat ndaj politikave qeveritare ose zyrtarëve, censurimin, bllokimin e faqeve dhe ekzistenca e ligjeve penale për shpifje; kufizim i rëndë i lirive të mbledhjes, shoqërizimit dhe lëvizjes; disa raste të rikthimit pas të refugjatëve; dhe dhuna ndaj grave dhe personave me orientime seksuale të caktuara, si dhe anëtarëve të pakicave të tjera.

Sidoqoftë, gjykatat civile mbetën burimi kryesor dhe i vetëm për të parandaluar mosndëshkimin.

Grupet e të drejtave të njeriut kanë dokumentuar disa vdekje të dyshimta të të burgosurve në paraburgim. Në nëntor, Fondacioni i të Drejtave të Njeriut i Turqisë (HRFT) raportoi 49 vdekje në burg lidhur me sëmundje, dhunë ose shkaqe të tjera. Prej tyre 15 dyshohet se ishin për shkak të vetëvrasjes. Në gusht, një burrë 44-vjeçar i dënuar për lidhje me lëvizjen Gylen vdiq në një qeli karantinë në burgun e Gymyshhanes pasi shfaqi simptoma të COVID-19. Raportet për shtyp pretenduan se i burgosuri kishte kërkuar trajtim mjekësor shumë herë, por autoritetet e burgut dështuan ta siguronin atë. Thirrje Ministrisë së Drejtësisë për hetim të kësaj çështjeje bëri edhe deputeti i Partisë Demokratike të Popujve (HDP), Omer Faruk Gergerlioglu, i cili ditët e fundit është ndaluar nga autoritetet e policisë për bërjen publike të një rasti të ushtrimit të dhunës ndaj të një të ndaluari.

“Sipas ligjit, nëpunësit e shërbimeve inteligjente (MIT) janë të imunizuar nga ndjekja penale, ashtu si zyrtarët e sigurisë të përfshirë në luftën kundër terrorit, çka e ka bërë edhe më të vështirë për prokurorët që të mund të hetojnë dot vrasjet jashtëgjyqësore dhe abuzimet e tjera të të drejtave të njeriut, duke kërkuar që ata të marrin leje nga ushtria dhe udhëheqja civile para ndjekjes penale.” Një akt ky që i jep një koracë mbrojtëse dhe paprekshmëri çdo lloji të veprimtarisë së Shërbimeve Informative.

Në shkurt, Shoqata e Avokatëve të Ankarasë paraqiti një ankesë te prokurori i Ankarasë në emër të shtatë vetëve që thuhet se u "zhdukën" nga qeveria, të cilët ishin në paraburgim policor në 2019. Një prej tyre, Gokhan Turkmen, një nëpunës civil i shkarkuar nën gjendjen e jashtëzakonshme pas përpjekjes për grusht shteti 2016, për të cilin në një nga seancat paraprake thuhet se në paraburgim ai është vizituar nga zyrtarët e inteligjencës e vizituan atë në burg, ku është kërcënuar, së bashku me familjen e tij, që t’i tërhiqte pretendimet e tij se ishte rrëmbyer dhe torturuar ndërsa ishte në paraburgim. Në prill, prokurori i Ankarasë nuk pranoi të niste hetime për ankesat e Turkmenit. Në fund të vitit, gjashtë nga këta shtatë të ndaluar gjendeshin në paraburgim nën akuzat e terrorizmit. Vendndodhja e të shtatit ende nuk dihet. Qeveria nuk pranoi të siguronte asnjë informacion mbi përpjekjet për të parandaluar, hetuar dhe ndëshkuar akte të tilla.

Kushtetuta dhe legjislacioni ndalojnë torturën dhe trajtimet e tjera mizore, çnjerëzore ose degraduese, por grupet vendore dhe ndërkombëtare të të drejtave raportuan se kanë qenë jo të paktë oficerët e policisë, autoritetet e burgut dhe njësitë ushtarake dhe ato të inteligjencës që përdorën këto praktika.

Organizatat vendase të të drejtave të njeriut, Shoqata e Avokatëve të Ankarasë, figura të opozitës politike, grupe ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe të tjerë raportuan se agjentët qeveritarë u përfshinë në kërcënime, keqtrajtime dhe tortura të mundshme të disa personave ndërsa ishin në paraburgim. Grupet e të drejtave të njeriut pohuan se individët me lidhje të pretenduara me PKK ose lëvizjen Gylen kishin më shumë të ngjarë t'i nënshtrohen keqtrajtimit ose abuzimit.

Në vitin 2019 raportet publike pretenduan se deri në 100 persona, përfshirë ish-anëtarët e Ministrisë së Punëve të Jashtme të shkarkuar nën dekretet e gjendjes së jashtëzakonshme 2016-18 për shkak të lidhjeve të dyshuara me lëvizjen Gylen, ishin keqtrajtuar ose torturuar ndërsa ishin në paraburgim policor.

Raporti i vitit 2019 deklaroi se delegacioni mori "një numër të konsiderueshëm akuzash për përdorim të tepruar të forcës ose keqtrajtimit fizik nga oficerët e policisë dhe xhandarmërisë nga personat që ishin marrë kohët e fundit në paraburgim (përfshirë gratë dhe të miturit).

Në Raportin e saj Botëror 2020, Human Rights Watch deklaroi: "Një rritje e akuzave për torturë, keqtrajtim dhe trajtim mizor dhe çnjerëzor ose degradues në paraburgimin e policisë dhe burgut gjatë katër viteve të fundit ka tërhequr përparimin e mëparshëm të Turqisë në këtë fushë. Ata që ishin në shënjestër përfshijnë kurdë, të majtë dhe ndjekës të pretenduar të Fethullah Gylen. Prokurorët nuk kryejnë hetime kuptimplota për pretendime të tilla dhe ka një kulturë të përhapur të mosndëshkimit për anëtarët e forcave të sigurisë dhe zyrtarët publikë të implikuar në praktika të tilla."

Përgjithësisht burgjet i plotësojnë standardet për kushtet fizike (dmth., infrastruktura dhe pajisjet themelore), por probleme të konsiderueshme me mbipopullimin rezultuan në kushte të rënda në shumë burgje, që KPT i konsideroi si çnjerëzore dhe degraduese.

Në të njëjtin muaj, për të lehtësuar kushtet në burgje, për shkak të pandemisë, parlamenti miratoi një projektligj për të modifikuar dënimet e 90,000 të burgosurve, duke lejuar lirimin e tyre. Ndër ta përfshiheshin të dënuarit për krim të organizuar dhe vrasje në tentativë. Projektligji nuk përfshinte ndonjë dispozitë për personat e mbajtur në paraburgim të përkohshëm ose paraprak dhe përjashtonte në mënyrë të qartë çdo person të dënuar nën akuzat antiterror, përfshirë mes tyre edhe gazetarë, avokatë dhe mbrojtës të të drejtave të njeriut.

HRA raportoi se 49 të burgosur vdiqën në burg nga janari në nëntor. HRA vuri në dukje se të burgosurit nuk kishin gjasa të raportonin çështje shëndetësore dhe të kërkonin kujdes mjekësor, pasi që një rezultat pozitiv i COVID-19 do të çonte në një karantinë dyjavore në izolim fundi i të cilave nuk dihet se ç’mund të ishte. Organizatat e të drejtave të njeriut dhe raportet e CPT pohuan se të burgosurit shpesh nuk kishin qasje adekuate në ujë të pijshëm, ngrohje të duhur, ventilim, ndriçim, ushqim dhe shërbime shëndetësore.

Raportet nga organizatat e të drejtave të njeriut shënojnë, ndër të tjera, që për shkak të frikës nga hakmarrja ndaj tyre disa mjekë nuk kanë pranuar të nënshkruajnë emrat e tyre në raportet mjekësore që pretendohej për tortura. Si rezultat, viktimat shpesh nuk ishin në gjendje të merrnin dokumentacion mjekësor që do të ndihmonte për të provuar pretendimet e tyre.

Ligji ndalon arrestimin dhe ndalimin arbitrar dhe parashikon të drejtën e çdo personi për të kundërshtuar ligjshmërinë e arrestimit ose ndalimit në gjykatë, por raporte të shumta të besueshme treguan se qeveria jo gjithmonë i respekton këto kërkesa. Grupet e të drejtave të njeriut vunë në dukje se, pas përpjekjes për grusht shteti 2016, autoritetet vazhduan të ndalojnë, arrestojnë dhe gjykojnë qindra-mijëra individë për lidhje të pretenduara me lëvizjen “Gylen” (Hizmet) ose PKK, shpesh me standarde të dyshimta dëshmuese dhe pa procesin e duhur të parashikuar sipas ligjit. Në katër vjetorin e përpjekjes për grusht shteti 2016 në korrik, qeveria njoftoi se që nga përpjekja për grusht shteti autoritetet kishin hapur procedura ligjore kundër 597.783 individëve, ndaluan 282.790 dhe arrestuan 94.975 që nga përpjekja e grushtit të shtetit për arsye të përkatësisë së dyshuar ose lidhje me lëvizjen “Gylen”. Gjatë vitit qeveria filloi procedurat ligjore kundër 39,719 individëve, ndaloi 21,000 dhe arrestoi 3,688.

Gjykatat në disa raste zbatuan ligjin në mënyrë të pabarabartë, me kritikë ligjorë dhe aktivistë të të drejtave që pohuan se vendimet e gjykatave dhe prokurorëve, jo pak herë, ishin subjekt i ndërhyrjes së ekzekutivit.

Përpos të gjitha kufizimeve të përmendura deri më tani, një tjetër kufizim i paprecedentë i vërejtur ka qenë edhe ai i privimit edhe nga e drejta e mbrojtjes ligjore i shumë të burgosurve. Ndërsa ligji në përgjithësi u siguron të burgosurve të drejtën për qasje të menjëhershme te një avokat, ai lejon prokurorët të mohojnë një qasje të tillë deri në 24 orë. Ligji i ri u jep prokurorëve të drejtën të pezullojnë privilegjin avokat-klient dhe të vëzhgojnë dhe regjistrojnë bisedat midis personave të akuzuar dhe këshilltarit të tyre ligjor. Shoqatat e avokatëve raportuan se të paraburgosurit herë pas here kishin vështirësi për të fituar akses të menjëhershëm tek avokatët, si për shkak se dekretet e qeverisë kufizonin aksesin e avokatëve te të burgosurit dhe burgjet - veçanërisht për ata avokatë që nuk ishin caktuar nga shteti - dhe sepse shumë avokatë hezitonin të mbronin individët të cilët qeveria i akuzonte për lidhjet me përpjekjen për grusht shteti të vitit 2016.

Sipas legjislacionit antiterror të miratuar në 2018, qeveria mund të ndalojë pa akuzë (ose paraqitje para një gjykatësi) një të dyshuar për 48 orë për vepra "individuale" dhe 96 orë për vepra "kolektive". Organizatat e të drejtave të njeriut ngritën shqetësime se mbajtja e individëve deri në 12 ditë nga autoriteti policor ka rritur ndjeshëm rrezikun e keqtrajtimit dhe torturës. Sipas një deklarate nga Ministri i Drejtësisë Gul, që nga korriku në vend në paraburgim ishin 48,752 persona gjithsej.

Një problem jo pak i rëndësishëm për nga serioziteti, i vërejtur në raportin 2020 vijon të jetë edhe arrestimi arbitrar: “Megjithëse ligji ndalon mbajtjen në mënyrë arbitrare ose të fshehtë të një të dyshuari, raportet se qeveria nuk i ka respektuar këto ndalime janë të shumta. Grupet e të drejtave të njeriut pretendojnë se në zonat nën shtetrrethim ose në "zona speciale të sigurisë", forcat e sigurisë arrestuan qytetarët pa regjistrim zyrtar, duke i lënë të paraburgosurit në rrezik më të madh të abuzimit arbitrar.” Në të njëjtën kohë mbrojtësit e sundimit të ligjit kanë vënë në dukje se përdorimi i gjerë i paraburgimit është bërë një si farë forme e një dënimi të shkurtër kërcënues, veçanërisht në rastet që përfshinin akuza për terrorizëm të motivuara politikisht.

Një analizë e organizatës ndërkombëtare të lajmeve “Reuters” e të dhënave të Ministrisë së Drejtësisë tregoi se të paktën 45 përqind e prokurorëve dhe gjykatësve të vendit kanë tre vjet përvojë ligjore juridike ose më pak.

Prokurorët përdorin një përkufizim të gjerë të terrorizmit dhe kërcënimeve ndaj sigurisë kombëtare dhe në disa raste, sipas avokatëve të mbrojtjes dhe grupeve të opozitës, përdoren prova të dyshimta ligjërisht për të ngritur akuza penale kundër një game të gjerë individësh, përfshirë gazetarë, politikanë të opozitës, aktivistë dhe shumë të tjerë, thjesht sepse janë zëra kritikë ndaj qeverisë.

Studentë, artistë dhe anëtarë të shoqatave të ndryshme u përballën me hetime penale për veprimtari të dyshuara të lidhura me terrorizmin, kryesisht për shkak të postimeve të tyre në rrjetet sociale. Qeveria nuk i përkufizon të burgosurit për lidhje të dyshuara me lëvizjen “Gylen” si të burgosur politikë dhe nuk lejon hyrjen në to nga organizatat e të drejtave të njeriut ose humanitare.

Raporte të besueshme thonë se autoritetet i kanë nënshtruar edhe ndaj një sërë abuzimesh të tjera disa nga të burgosurit e akuzuar për lidhje me terrorin dhe lëvizjen “Gylen” në veçanti, duke përfshirë izolimin, kontrollet fizike të panevojshme pa rroba, trajtim shumë të ngadaltë mjekësor, dhe në disa raste mohimi të plotë të tij. Raportet gjithashtu kanë pohuar se autoritetet kanë trajtuar me sjellje degraduese edhe vizitorët e familjarët e të burgosurve, duke përfshirë qasjen e kufizuar në familje dhe trajtimin degradues nga rojet e burgut, duke përfshirë edhe kontrollet pa rroba në trup.

Gjatë këtij viti qeveria ka vijuar angazhimin në një përpjekje mbarëbotërore për të kapur anëtarët e dyshuar të lëvizjes “Gylen”.

Raporte të besueshme raportojnë se qeveria ushtroi presion dypalësh mbi autoritetet e vendeve të tjera për të ndërmarrë veprime të padëshirueshme kundër individëve të caktuar, pa një proces të rregullt në kohë.

Sipas një raporti nga disa raportues specialë të OKB në maj, thuhet se që nga tentativa për grusht shteti, në vitin 2016, në bashkëpunim me autoritete të shteteve të tjera qeveria turke ka koordinuar operacione për të transferuar me forcë në Turqi më shumë sesa 100 shtetas turq, nga të cilët 40 individë janë zhdukur me forcë. Në janar, Shqipëria dëboi drejt Turqisë shtetasin turk Harun Celik, një mësues në një shkollë të lidhur me lëvizjen “Gylen”, pasi e arrestoi atë për udhëtim me dokumente false në 2019. Avokati i Çelik raportoi se Çelik kishte kërkuar azil ndërsa ishte i arrestuar në Shqipëri dhe se Shqipëria e riatdhesoi atë në Turqi pa i dhënë një mundësi për ta apeluar vendimin. Media turke e përshëndeti kthimin e Çelik si një operacion të suksesshëm nga shërbimet informative të shtetit turk. Individët e kthyer në vend në rrethana të tilla zakonisht përballen me procedura ligjore që rëndojnë me akuzën e afrisë me lëvizjen “Gylen”.

Kishte gjithashtu raporte të besueshme se qeveria u përpoq të përdorë njoftimet e kuqe të INTERPOL-it për të shënjestruar individë të veçantë që jetojnë jashtë Turqisë, duke pretenduar lidhje me terrorizmin nisur nga përpjekja për grusht shteti në vitin 2016, ose me PKK, bazuar në pak prova. Freedom House raportoi se, që nga përpjekja e grushtit të shtetit 2016, vendi kishte ngarkuar dhjetëra mijëra kërkesa në INTERPOL për persona që qeveria i ka caktuar si të lidhur me lëvizjen Gylen. Të shumta kanë qenë edhe raportet se individët përballeshin me komplikime në lidhje me raportimet e gabuara të pasaportave të humbura ose të vjedhura që qeveria paraqiti kundër mbështetësve të dyshuar të lëvizjes Gylen. Individët e shënjestuar shpesh nuk kishin ndonjë rol të identifikuar qartë në përpjekjen për grusht shteti, por ishin të lidhur me lëvizjen Gylen ose kishin folur në favor të saj. Raportimet në INTERPOL mund të çojnë në ndalimin e individëve ose kufizimin e mundësisë së tyre për të udhëtuar.

Një tjetër taktikë e qeverisë turke për të ushtruar trysni ndaj tyre ka qenë edhe ajo e lëshimit të urdhrave të konfiskimit të pasurisë për të bërë presion ndaj individëve që jetojnë në internim jashtë vendit.

Qeveria vazhdoi të refuzonte rinovimin e pasaportave të disa shtetasve me leje qëndrimi të përkohshme në vendet e tjera për arsye politike, duke pretenduar se ata ishin anëtarë të lëvizjes “Gylen“; këta individë nuk ishin në gjendje të udhëtonin jashtë vendeve të tyre të banimit.

Duke përdorur legjislacionin antiterror, qeveria ka shënjestruar edhe anëtarët e familjes për të ushtruar presion mbi të dyshuarit e kërkuar. Masat qeveritare përfshinin anulimin e pasaportave të anëtarëve të familjes së nëpunësve civilë të pezulluar ose të shkarkuar nga institucionet shtetërore, si dhe të atyre që ishin larguar nga autoritetet. Në disa raste qeveria anuloi ose refuzoi të lëshojë pasaporta për fëmijët e mitur të individëve jashtë vendit që kërkoheshin ose akuzoheshin për lidhje me lëvizjen “Gylen”.

Qeveria paraqiste në mënyrë rutinë akuza të lidhura me terrorizmin kundër individëve për postimet apo publikimet e tyre në media dhe dhe ato sociale online.

Qeveria dënoi dhe burgosi qindra individë për ushtrimin e lirisë së tyre të shprehjes. Sipas një sondazhi të korrikut të kompanisë MetroPOLL, 62 % e të anketuarve besuan se media në vend nuk ishte e lirë dhe 50 % besuan se nuk ishin të lirë në mediat sociale.

Një tjetër rast i nënvizuar, të cilit i është kushtuar një paragraf i veçantë, është ai i gjyqit të shkrimtarit dhe opinionistit të shquar Ahmet Alltan, që vazhdoi dhe ai mbeti në burg në fund të vitit. Shkrimtari i mirënjohur u dënua në 2018 për "përpjekje për të përmbysur rendin kushtetues" në lidhje me akuzat që ai kishte një rol në përpjekjen për grusht shteti 2016; Altan mori një dënim të përjetshëm të rënduar.

Ka pasur prova që qeveria monitoronte komunikimet private në internet duke përdorur autoritet ligjor jotransparent. Raporti i Freedom House, Freedom on the Net 2020: The Pandemic’s Digital Shadow vuri në dukje se qeveria ka ngacmuar, ndaluar dhe arrestuar gazetarë, aktivistë dhe blogerë për aktivitetin e tyre në internet, veçanërisht gjatë pandemisë COVID-19.

Në disa raste prokurorët kanë vijuar ta konsiderojnë zotërimin e disa librave në gjuhën kurde, pro-kurde, ose librave që kanë lidhje me lëvizjen “Gylen” si një provë e besueshme e të qenit pjesë e një organizate terroriste.

Qeveria vazhdoi të kufizonte udhëtimet e huaja për disa qytetarë të akuzuar për lidhje me lëvizjen “Gylen” ose përpjekjen e dështuar të grushtit të shtetit 2016. Në qershor autoritetet hoqën kufizimet e pasaportave për 28,075 individë të tjerë mbi ata të viteve të mëparshme.

Gjatë vitit qeveria vazhdoi ndjekjet penale kundër oficerëve të zbatimit të ligjit, gjyqtarëve dhe prokurorëve të cilët filluan hetime ose çështje të lidhura me korrupsionin kundër zyrtarëve qeveritarë, duke pretenduar se të pandehurit e bënë këtë me urdhër të lëvizjes “Gylen”. Akuza penale të tilla rëndojnë edhe mbi gazetarët e akuzuar për bërjen publike të këtyre akuzave për korrupsion. E njëjta gjë ndodh edhe për grupet e punës për monitorimin e të drejtave të njeriut, apo për mjekët që bëjnë kontrollin e abuzimeve dhe keqtrajtimeve nga ana e autoriteteve, të cilët nuk duan të nënshkruajnë raporte, pasi mund të përballen me burg.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat