Planet për tërheqjen amerikane nga Afganistani

Bota

Planet për tërheqjen amerikane nga Afganistani

Më: 14 prill 2021 Në ora: 20:38
Afganistan

Presidenti Joe Biden pritet të njoftojë të mërkurën se Shtetet e Bashkuara po tërheqin të gjitha trupat nga Afganistani para 11 shtatorit kur mbushen 20 vjet nga sulmet terroriste të vitit 2001. Këto sulme u bënë shkas për luftën më të gjatë në të cilën është angazhuar ndonjëherë Amerika. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Cindy Saine njofton:

Lufta në Afganistan, nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara, është bërë angazhimi më i gjatë ushtarak që ka ndërmarrë ndonjëherë Amerika dhe deri tani ka shkaktuar mijëa të vrarë në radhët e forcave amerikane, afgane dhe të NATO-s. Po ashtu, mbi 43 000 civilë kanë humbur jetën nga kjo luftë. Presidenti Biden synon t’i japë fund rolit të Amerikës në këtë konflikt para 20 vjetorit të sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001.

"Presidenti u është përmbajtur të njëjtave pikëpamje se Afganistani nuk mund të ndreqet me rrugë ushtarake dhe se angazhimi ynë atje ka vazhduar tepër gjatë,” tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki e cila theksoi nevojën që Shtetet e Bashkuara të përqëndrojnë vëmendjen dhe burimet tek kërcënimet aktuale.

Disa republikanë në Kongres e kritikuan menjëherë njoftimin, megjithëse ish-Presidenti Trump kishte planifikuar që trupat amerikane të largoheshin nga Afganistani brenda muajit maj. Senatori Mitch McConnell e quajti gabim të rëndë:

“Një tërheqje e papeshuar mirë do të ishte braktisje e partnerëve tanë afganë, rajonalë dhe të NATO-s në luftën e përbashkët kundër terrorizmit që ende nuk e kemi fituar. Do të ishte gjithashtu braktisje e grave afgane, pasi do të vihen në rrezik të drejtat dhe liritë e tyre civile,” tha zoti McConnell.

Analisti Marvin Weinbaum tha për Zërin e Amerikës se e konsideron tërheqjen si mospërfillje ndaj partnerëve të Amerikës në Afganistan dhe përtej.

“Mendoj se ky akt i hap portat rikthimit të talebanëve në pushtet. Qeveria afgane nuk do të arrijë të mbijetojë për shumë kohë pa praninë amerikane”.

Edhe talebanët reaguan pa vonesë, duke thënë se nuk do të marrin pjesë në bisedimet e paqes deri kur trupat e huaja të largohen nga vendi. Bisedimet, të cilat planifikohet të zhvillohen në Turqi, ishin njoftuar pak orë më parë nga Kombet e Bashkuara.

"Turqia, Katari dhe Kombet e Bashkuara thanë se po organizojnë një konerencë të nivelit të lartë nga 24 prill deri më 4 maj me përfaqësues të Afganistanit dhe talebanëve,” tha zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së.

Nuk është e qartë nëse bisedimet do të zhvillohen sipas planit. Civilët afganë jetojnë me terrorin e sulmeve të përsëritura, si një shpërthim muajin e kaluar në Xhalalabad që la trë vrarë tre gra që kryenin vaksinime kundër poliomelitit. Zyrtarët në Kabul fajësojnë talebanët për pjesën më të madhe të sulmeve./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat