Erë lufte: Putini sfidon Perëndimin në Ukrainë, Xi zgjat dorën drejt Tajvanit

Bota

Erë lufte: Putini sfidon Perëndimin në Ukrainë, Xi zgjat dorën drejt Tajvanit

Nga: Sherif Ramabaja Më: 21 prill 2021 Në ora: 18:46
Vladimir Putin

Putini nuk do ta lejojë Ukrainën të padëmtuar në BE - dhe sigurisht jo në NATO. Rusia ka dërguar trupa shumë të armatosura në kufirin ukrainas. Dhe Kina ka planifikuar vendosmërisht ta aneksojë Tajvanin. Në të dy pikat e zjarrta, shenjat së shpejti mund të tregojnë luftë. Perëndimi sfidohet. Urgjente.

Janë më pak se 100 ditë në detyrë dhe administrata e Biden mund të përballet me dy konflikte, me dy fuqitë e mëdha Rusinë dhe Kinën. Të dy shtetet nuk e fshehin faktin se ato - në forma të ndryshme - bëjnë pretendime territoriale: Kina dëshiron të bashkojë Tajvanin me Republikën Popullore. Rusia dëshiron të ushtrojë ndikim vendimtar mbi Ukrainën.

Të dy shtetet kanë rritur angazhimin e tyre ushtarak në ditët e fundit. Dhe të dy llogarisin, nëse ndërhyrja e hershme premton më shumë përparësi apo pritja - ose anasjelltas. Sado e ndryshme të jetë situata rreth Tajvanit dhe kufirit lindor të Ukrainës, të dy përmbajnë rreziqe të konsiderueshme përpos nëse situata në marrëdhëniet midis fuqive të mëdha vlerësohet gabimisht, për shkak të informacioneve jo të plota.

Putini me çdo kusht dëshiron ta parandalojë Ukrainën në NATO

Situata midis Rusisë dhe Ukrainës është më e ngutshme. Meqenëse Marrëveshja e Asociimit (e nënshkruar më vonë) midis BE dhe Ukrainës dështoi në 2013, Rusia e ka bërë të qartë se do të kundërshtojë integrimin e Ukrainës në aleancat perëndimore. Kjo është arsyeja pse Krimea, gjeostrategjikisht e rëndësishme është aneksuar dhe po ashtu ka luftime në Donbass, në jug-lindje të Ukrainës si dhe pasaportat ruse po lëshohen për popullsinë. Rusia po e destabilizon situatën atje në mënyrë që të jetë në gjendje, të ndikojë në zhvillimet ukrainase.

Për qeverinë ruse, asocimi i Ukrainës në BE ka qenë gjithmonë hapi i saj i parë për në NATO. Aktualisht në Ukrainë flitet më intensivisht dhe hapur për anëtarësimin në NATO, prandaj Presidenti Putin duhet të llogarisë se sa të gatshme janë SHBA për t'i hapur rrugë Ukrainës për t'u bashkuar me aleancën Perëndimore. Ukraina ka qenë zyrtarisht një kandidate për anëtarësim në NATO që nga marsi 2018.

Nëse Ukraina qëndron jashtë NATO-s, mendon kështu Putin, atëherë do të vijë koha për Rusinë, sepse Ukraina do të mbetet prapa ekonomikisht, do të vazhdojë të mbretërohet nga korrupsioni dhe politikisht do të mbërthehet si një tokë e askujt. Pastaj, në një të ardhmen, mund të bëhen marrëveshje më të favorshme me një qeveri miqësore mes Rusisë dhe Kievit. Nëse Ukraina do të hynte në NATO, atëherë koha po vepron kundër Rusisë dhe veprimi i hershëm ushtarak, mund të shihet si më i dobishëm sesa të presësh më gjatë.

A rrezikon Putini të pushtojë Ukrainën?

Përkundër këtij sfondi, Rusia ka rritur masivisht trupat e saj në kufirin perëndimor. Në juglindje dhe në Krime, 150,000 ushtarë thuhet se janë mbledhur së bashku. Trupat janë të armatosur mirë. Pyetja tani është: me çfarë qëllimi? Për të dërguar një sinjal të forcës në drejtim të SHBA? Ti tërhiqet vërejtja Turqisë , e cila po bashkëpunon ushtarakisht me Ukrainën, si dhe sapo ka përfunduar lufta midis Azerbajxhanit dhe Armenisë, ndoshta për të parë forcën e saj (Turqisë )? Për të frikësuar qeverinë ukrainase? Për të mbështetur forcat pro-ruse në Kiev? Apo për të pushtuar territoret ukrainase?

Qeveria ruse di si të marrë parasysh faktin që Ukraina aktualisht nuk mund të shpresojë për ndihmë të huaj në mbrojtjen e saj, si dhe kostot e larta ekonomike të një pushtimi. Sanksionet perëndimore, një përjashtim nga tregjet financiare që SHBA tashmë kanë urdhëruar, si dhe fundi i Nord Stream 2 do të ishte i sigurt. Gjëra të tjera dhe të ndryshme do të vinin në majë. Presidenti Biden ka treguar se është serioz në lidhje me hakmarrjen, ndaj sulmeve kibernetike ruse. Ndoshta Presidenti Putin dëshiron t’i tregojë atij në mënyrën e tij se është serioz.

Xi Jinping ka Tajvanin si qëllim të tij: Kina po përpiqet gjithashtu të zgjerohet

Më pak urgjente, po situata rreth Tajvanit është edhe më shpërthyese. Kina e konsideron Tajvanin si një vend të veçantë dhe po përpiqet për bashkimin paqësor. Shtetet e Bashkuara kanë marrë përsipër të mbështesin Tajvanin në ruajtjen e pavarësisë së saj dhe ta pajisin atë me pajisje ushtarake. Sepse Tajvani në asnjë mënyrë nuk dëshiron të bëhet pjesë e Republikës Popullore të Kinës. Qeveria kineze, megjithatë, e sheh këtë si të pashmangshme. Arsyeja kryesore për këtë është rivendosja e unitetit dhe prestigjit kombëtar të Kinës. Kushdo që ka sukses ta bëjë këtë do të ketë një vend të veçantë në historinë e vendit - dhe Presidenti Xi do të dëshironte të ishte ai.

Bashkimi me Tajvanin do të forconte më tej ekonomikisht Kinën. 23 milion banorët e saj gjenerojnë një produkt të brendshëm bruto (PBB) prej mbi 610 miliardë dollarë amerikanë, më shumë se Polonia. Kjo është e menaxhueshme duke pasur parasysh PBB-në e Kinës prej 14 trilionë dollarë amerikanë, por çdo kontribut vlen për të kapërcyer SHBA-në dhe për t'u bërë fuqia e parë botërore. Klasa politike në Pekin beson se kjo nuk mund të shkojë paralelisht me ndarjen e mëtejshme të vendit. Për javë të tëra shfaqjet ushtarake kundër Tajvanit janë rritur dhe në Kinë flitet hapur për intervenim të dhunshëm. Nuk flitet kështu vetëm në Kinë. Admirali amerikan Phil Davidson i tha Senatit të SHBA në Mars 2021, se Kina do të kishte mundur ta marr kontrollin mbi Tajvanin brenda gjashtë viteve të ardhshme. Marrja e Hong Kongut hodhi hijen e saj këtu. Kjo është një çështje serioze për SHBA.

A janë shfaqjet ushtarake të Kinës vetëm për të shfaqur poza? A dëshiron të dokumentojë pretendimin e saj? Ta frikësoj Tajvanin? Apo është Tajvani, vërtetë që do të pushtohet me forcë?

Qeveria Amerikane duhet të merret me këtë pyetje dhe Sekretari i Shtetit Blinken tashmë është pyetur se çfarë do të bënin SHBA në një rast të tillë. Përgjigja e tij ishte e qartë: SHBA ka një detyrim të ndihmojë Tajvanin në vetëmbrojtjen e tij dhe të mbështesë hapsirën detare të Tajvanit.Tingëllonte krejtësisht ndryshe kur Kryeministri japonez Suga u prit kohët e fundit në Shtëpinë e Bardhë: SHBA deklaroi se do ta mbronte Japoninë me të gjitha mjetet, përfshirë edhe armët bërthamore.

Kina po bëhet gjithnjë e më e fortë: sa të forta janë SHBA?

Qeveria kineze është duke llogaritur, nëse veprimi i hershëm premton më shumë përfitime sesa pritja. Aktualisht, zhvillimi ekonomik i vendit ka përparësi mbi unitetin kombëtar, siç tregon Plani i 14-të pesë-vjeçar. Por situata mund të ndryshojë në varësi të mënyrës se si zhvillohen marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara. Qeveria kineze në thelb supozon se SHBA do të bjerë ekonomikisht dhe do të mbetet prapa Kinës për sa i përket ndikimit politik. Atëherë do të vijë koha për Kinën dhe do të duhet të presim derisa SHBA të tërhiqen gjithnjë e më shumë nga Paqësori.

Në këtë moment, megjithatë, mund të shihet diçka tjetër. Sepse për herë të parë në takimin "Quad" u takuan në Dialogun Katërkëndësh të Sigurisë - domethënë SHBA, Australia , India dhe Japonia - në nivelin më të lartë. Menjëherë pas largimit të Trump, SHBA intensifikuan kontaktet me aleatët e saj rajonalë. Ndikimi i Kinës në rajonin Indo-Paqësor do të kufizohet përmes bashkëpunimit. Kështu që SHBA po pranon sfidën kineze. Kjo mund të ndryshojë të menduarit e Kinës.

Sepse nëse SHBA e marrin seriozisht konkurrencën teknologjike dhe ekonomike kundër Kinës, vlera gjeostrategjike e Tajvanit për SHBA mund të rritej dhe kjo mund të qëndrojë si pengesë në rrugën e bashkimit paqësor. Atëherë, nëse qeveria kineze nuk do të mundte të shtynte bashkimin e vendit, do t´i mbetej vetëm rruga e bashkimit përmes forcës. Atëherë mund të dominojnë konsideratat që do të ishte më e dobishme të veprohet herët, sesa të presësh më gjatë. Por kjo ngre pyetjen se çfarë kosto ekonomike do të sillte e gjith kjo. Jo shumë shtete mund të vendosin sanksione drastike ndaj Kinës, sepse ato varen nga bashkëpunimi ose që tani janë të varura nga Kina. Por cilat kosto ekonomike për Kinën do të lindnin, do të vendoset nga parametrat që do të përcaktojnë organet kineze.

Biden, Putin, Xi - kanë ende paqartësi në lidhje me qëllimet e tyre reale

Në të dy rastet, aktorët e përfshirë kanë informacione jo të plota, sepse nuk janë të sigurt për qëllimet e të tjerëve dhe nuk mund t'i faktorizojnë ato në konsideratat e tyre. Edhe nëse ata i dinin qëllimet e qeverive të tjera, ata nuk e dinë nëse dhe si ndryshojnë këto synime gjatë zhvillimit të situatave, për shembull sepse mund të shfaqen mundësi të papritura. Edhe fakti që tre presidentët Biden, Putin dhe Xi posedojnë njohuri dhe kanë analizuar rastet thellë, nuk mund t´i mbrojënë ato nga gjykimet e gabuara.

Për më tepër, është e pasigurtë se si pasojat e pandemisë dhe zhvendosjeve ekonomike shoqëruese, kanë ndryshuar llogaritjet përkatëse strategjike të tre vendeve. Kërkohen analiza intensive strategjike - në të tre shtetet, por edhe në të gjitha shtetet e tjera që do të preken nga efektet e këtyre konflikteve.

Rreth ekspertit

Prof Dr. Thomas Jäger ligjëron në Katedrën për Politikë Ndërkombëtare dhe Politikë të Jashtme në Universitetin e Këlnit. Kërkimet i tij përqendrohen në marrëdhëniet ndërkombëtare, si dhe në politikën e jashtme amerikane dhe gjermane./Eksperti i FOCUS Thomas Jäger, nga gjermanishtja Sherif Ramabaja

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat