Blinken në Londër: Duam të mbrojmë "rendin e bazuar në rregullat ndërkombëtare".

Bota

Blinken në Londër: Duam të mbrojmë "rendin e bazuar në rregullat ndërkombëtare".

Më: 3 maj 2021 Në ora: 22:29
Antony Blinken

Grupi i shtatë demokracive perëndimore synon të bëjë për vete aleatë të rinj për të kundërshtuar sfidat e Kinës dhe Rusisë, por pa e penguar Pekinin dhe duke kërkuar lidhje më të qëndrueshme me Kremlinin, thanë të hënën dy nga diplomatët kryesorë të Shtatëshes.

Përpara takimit të ministrave të jashtëm të G7-s, i pari ballë për ballë mes tyre që nga viti 2019, Sekretari i Shtetit i Presidentit Joe Biden, Antony Blinken, u përpoq të japë një mesazh multilateralizmi, pas katër vjet diplomacie në Twitter nën ish-Presidentin Donald Trump, që hutoi dhe alarmoi shumë aleatë perëndimorë.

I themeluar në vitin 1975 si një forum për vendet më të pasura të Perëndimit për të diskutuar kriza të tilla si embargoja e naftës e OPEC-ut, Grupi i Shtatëshes këtë javë po diskuton për Kinën dhe Rusinë, si dhe për luftën kundër pandemisë COVID-19 dhe ndryshimin e klimës.

"Nuk është qëllimi ynë të përpiqemi të frenojmë Kinën ose ta pengojmë atë,” u tha zoti Blinken gazetarëve në një konferencë shtypi të mbajtur bashkë me Sekretarin e Jashtëm britanik Dominic Raab.

Ai tha se Perëndimi synon të mbrojë "rendin e bazuar në rregullat ndërkombëtare" nga përpjekjet e çdo vendi qoftë, përfshirë Kinën, për ta destabilizuar atë.

Rritja spektakolare ekonomike dhe ushtarake e Kinës gjatë 40 viteve të fundit shihet si ndër ngjarjet më domethënëse gjeopolitike të kohëve të fundit, krahas rënies së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, që i dha fund Luftës së Ftohtë.

Dy diplomatët u përpoqën t’i tregojnë botës se Perëndimi do ta luajë më fort rolin e tij në arenën ndërkombëtare. Nga ana e tij, Raab foli për ndërtim aleancash në vend të prishjes së tyre.

"Unë e shoh qartë kërkesën në rritje dhe nevojën për grupe të shkathëta vendesh me të njëjtat pikëpamje, që ndajnë të njëjtat vlera dhe që duan të mbrojnë sistemin shumëpalësh," tha zoti Raab. "Ne mund të shohim një lëvizje drejt këtij modeli me grupe vendesh me të njëjtat pikëpamje dhe që janë mjaft të shkathët për të punuar së bashku," tha ai.

Image
Kryediplomatët Blinken dhe Raab

 

Edhe pa një aleancë më të gjerë, G7-s ende është mjaft e fuqishme: Vendet e Shtatëshes të marra së bashku përbëjnë një forcë shumë më të madhe se Kina, si nga ana ekonomike edhe ajo ushtarake.

Në vështrimin afatgjatë, në Uashington dhe në kryeqytetet evropiane ka shqetësime të thella se si duhet të veprojë Perëndimi si ndaj Pekinit ashtu edhe ndaj Moskës.

Sekretari Blinken tha se Shtetet e Bashkuara do të preferonin lidhje më të qëndrueshme me Rusinë, por kjo varet shumë nga mënyra se si do të veprojë Presidenti rus Vladimir Putin, veçanërisht ndaj vendeve të tilla si Ukraina, të cilën zoti Blinken do ta vizitojë këtë javë.

"Ne kemi rikonfirmuar mbështetjen tonë të palëkundur për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës," tha ai.

"Ne nuk përpiqemi të rrisim tensionet; ne do të preferonim të kishim një marrëdhënie më të qëndrueshme, më të parashikueshme. Dhe nëse Rusia lëviz në atë drejtim, ashtu do të bëjmë edhe ne."

Zoti Raab tha të dielën se G7-s do të shqyrtonte një propozim për të ndërtuar një mekanizëm të shpejtë reagimi për të kundërshtuar dezinformimin rus dhe, duke iu referuar Kinës, foli për nevojën për të luftuar për tregje të hapura dhe demokraci.

Përveç anëtarëve të G7, Kanada, Francë, Gjermani, Itali, Japoni dhe Shtetet e Bashkuara, Britania ka ftuar edhe ministra nga Australia, India, Afrika e Jugut dhe Koreja e Jugut.

Ministrat do të përgatisin terrenin për udhëtimin e parë të planifikuar të Presidentit Joe Biden jashtë vendit që nga marrja e detyrës: një samit i G7 në Britani muajin tjetër./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat