Talibanët “mund të bëjnë kthim mbrapa” në të drejtat e grave

Bota

Talibanët “mund të bëjnë kthim mbrapa” në të drejtat e grave

Më: 5 maj 2021 Në ora: 13:51
Foto ilustrim

Agjencitë amerikane të inteligjencës kanë paralajmëruar më 4 maj në një raport të paklasifikuar se të niveli i të drejtave të grave në Afganistan, i krijuar për dy dekada, mund të jetë në rrezik, pas tërheqjes së trupave amerikane.

“Talibanët vazhdojnë të kenë qasjen e njëjtë kufizuese ndaj të drejtave të grave dhe mund të bëjnë kthim mbrapa në përparimin e arritur për dy dekada, nëse ky grup fiton fuqi kombëtare”, është thënë në raportin e Këshillit Kombëtar të Inteligjencës.

Ky është paralajmërimi i fundit rreth pasojave që mund të ketë tërheqja e trupave amerikane, proces që do të kompletohet deri më 11 shtator të këtij viti.

Biden ka njoftuar një muaj më parë për tërheqje të 2,500 trupave më këtë datë, e cila këtë vit shënon 20-vjetorin e sulmeve terroriste të kryera në tokën amerikane, të cilat më pas kanë rezultuar me pushtimin e Afganistanit nga forcat amerikane.

Aleatët e NATO-s janë pajtuar që edhe trupat e huaja, që janë të angazhuara nën ombrellën e NATO-s, të tërhiqen po ashtu, gjë që ka nxitur shqetësime për luftë të re civile dhe kthim të talibanëve në pushtet.

Gjenerali Mark Milley, udhëheqës i shefit të stafit, ka thënë më 2 maj se ka mundësi që forcat afgane të përballen me “disa gjëra dramatike dhe të këqija”, pas tërheqjes së trupave të huaja.

“Mirëpo, fatkeqësisht, nuk e dimë ende”, ka shtuar ai.

Gjatë udhëheqësisë së talibanëve në periudhën 1996-2001, grave u është ndaluar edukimi dhe kanë qenë kryesisht të mbyllura në shtëpi.

Në publik, atyre u është kërkuar që të mbulojnë fytyrën dhe trupin dhe u është ndaluar të dalin nga shtëpia pa përcjelljen e një burri të familjes.

Ato po ashtu janë përballur me ndëshkime nëse kanë kryer “shkelje morale”.

I dërguari special i Shteteve të Bashkuara për Afganistanin Zalmay Khalilzad ka thënë më 27 prill se qindra miliona dollarë amerikanë, të ndara si ndihmë, mund të bien poshtë nëse qeveria e dominuar nga talibanët nuk respekton të drejtat e njeriut, sidomos ato të grave.

Disa senatorë amerikanë kanë thënë se do kundërshtojnë ndihmën nëse të drejtat e grave dhe vajzave nuk mbrohen pasi të kthehen në shtëpi trupat amerikane.

Talibanët kanë lëshuar një deklaratë muajin e kaluar duke u zotuar se gratë “do të shërbejnë në shoqërinë e tyre në fushën e edukimit, biznesit, shëndetit dhe aspekteve tjera duke mbajtur hixhabin islamik”, duke iu referuar mbulesës në kokë.

Mirëpo në raportin e publikuar më 4 maj vërehen dyshime për këto zotime.

Aty përmendet se dëshira e talibanëve për ndihmë të huaj dhe legjitimitet “mund t’ua ndryshojë sjelljen me kalimin e kohës”, mirëpo në fillim të rikthimit të kontrollit, talibanët ka mundësi që të përqendrohen në shtrirje të kontrollit sipas rregullave të tyre”.

Raporti thekson edhe se talibanët vazhdojnë të kenë “pozicione negociuese të palëkundura dhe se zbatojnë kufizime të rrepta shoqërore në rajonet që kontrollojnë”.

Përpiluesit e raportit kanë vlerësuar se qasja nëpër telefona mobilë mund të rrisë potencialisht ndërgjegjësimin e botës për "sjelljen ekstreme të talibanëve" dhe mund të ketë një vëmendje të shtuar ndërkombëtare mbi aktivitetet e talibanëve pas luftës./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat