VOA: Vendet arabe kritikojnë Izraelin për dhunën në Jeruzalem

Bota

VOA: Vendet arabe kritikojnë Izraelin për dhunën në Jeruzalem

Më: 9 maj 2021 Në ora: 23:27
Jeruzalem

Vendet arabe, përfshirë katër shtete që ranë dakord vitin e kaluar për të normalizuar marrëdhëniet me Izraelin, kanë dënuar një fundjavë të dhunshme pasi qindra palestinezë u plagosën gjatë përleshjeve me forcat izraelite të sigurisë.

Dhuna përreth xhamisë Al-Aqsa dhe në Qytetin e Vjetër ishte më e ashpra që nga viti 2017, e nxitur nga përpjekjet shumëvjeçare të kolonëve hebrenj për të marrë vendbanimet e palestinezëve.

Sudani, Maroku, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreini kanë kritikuar veprimet e Izraelit. Të katër vendet ranë dakord vitin e kaluar për të normalizuar, ose kanë normalizuar, marrëdhëniet me shtetin hebre.

Përmes një deklarate shtypi, mbrëmjen e së shtunës, Ministria e Jashtme e Sudanit i etiketoi si “shtypëse” dhe “veprime shtrënguese” masat izraelite ndaj palestinezëve në Jeruzalem. Khartoumi i bëri thirrje qeverisë izraelite që, “të përmbahet nga ndërmarrja e hapave të njëanshëm që zvogëlojnë shanset për të rinisur negociatat e paqes.”

Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreini dënuan hyrjen e dhunshme të forcave izraelite të sigurisë të premten në xhaminë Al-Aqsa, dhe goditjen e besimtarëve që kërkonin të futeshin në kompleks.

Emiratet i kërkuan autoriteteve izraelite që të “marrin përgjegjësinë për uljen e tensioneve dhe dhunës në vendin e shenjtë, ndërsa Bahreini i bëri thirrje qeverisë izraelite që të, “ndalojë këto provokime të refuzuara kundër popullit të Jeruzalemit”.

Ndërkohë, Maroku shprehu “shqetësim të thellë” lidhur me dhunën duke thënë se Mbreti Mohammed VI “i konsideron këto shkelje si mundësi për nxitjen e tensioneve”.

Ministria e Jashtme e Arabisë Saudite tha se i hedh poshtë planet e Izraelit për të nxjerrë nga shtëpitë banorët palestinezë në Jeruzalem ndërsa bëri thirrje për rivendosjen e kufijve të para vitit 1967.

Izraeli pushtoi pjesën lindore të Jeruzalemit gjatë Luftës Gjashtë Ditore të vitit 1967 dhe më vonë e aneksoi, një lëvizje që nuk u njoh nga shumica e bashkësisë ndërkombëtare. /VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat