Paneli: OBSH-ja të ketë më shumë kompetenca për të frenuar pandemitë

Bota

Paneli: OBSH-ja të ketë më shumë kompetenca për të frenuar pandemitë

Më: 12 maj 2021 Në ora: 21:33
OBSH

Një panel ekspertësh të pavarur që analizoi përgjigjen e Organizatës Botërore të Shëndetësisë ndaj pandemisë së koronavirusit thotë se agjencisë shëndetësore të Kombete të Bashkuara duhet t'i jepen "të drejta të garantuara hyrjeje" në vende të ndryshme për të hetuar epidemi të reja të mundshme, një ide e diskutueshme që do t'i jepte OBSH-së më shumë kompetenca dhe do të kërkonte që vendet anëtare të hiqnin dorë nga disa prej të drejtave të tyre.

Në një raport të lëshuar të mërkurën, paneli fajësoi vendet në të gjithë botën për përgjigjen e ngadaltë ndaj COVID-19, duke thënë se shumica pritën të shihnin ecurinë e përhapjes së virusit derisa u bë tepër vonë për ta frenuar, duke shkaktuar pasoja katastrofike. Grupi gjithashtu kritikoi mungesën e udhëheqjes globale dhe ligjet ndërkombëtare të shëndetësisë, që me kufizimet e tyre "penguan" përgjigjen e OBSH-së ndaj pandemisë.

Disa ekspertë kritikuan panelin duke thënë se nuk e kishte mbajtur OBSH-në dhe të tjerë përgjegjës për veprimet e tyre gjatë COVID-19, duke e cilësuar një gjë të tillë si "një zhveshje nga përgjegjësia".

Lawrence Gostin i Universitetit Georgetown tha se paneli "nuk vë para përgjegjësisë aktorë të këqij si Kina, duke përforcuar traditën jofunksionale të OBSH-së, që vendos diplomacinë mbi transparencën dhe llogaridhënien."

Paneli u drejtua nga ish-Presidentja e Liberisë Ellen Johnson Sirleaf dhe ish-kryeministrja e Zelandës së Re, Helen Clark, të cilat u caktuan nga OBSH-ja vitin e kaluar për të analizuar përgjigjen e agjencisë së OKB-së ndaj COVID-19, pasi vendet anëtare e kërkuan një gjë të tillë.

"Situata në të cilën gjendemi sot mund të ishte parandaluar," tha zonja Johnson Sirleaf.

Përveç thirrjes për të rritur kompetencat e OBSH-së për të hetuar epidemitë, paneli bëri një sërë rekomandimesh të tjera, si për shembull që agjencia shëndetësore dhe Organizata Botërore e Tregtisë të mbajnë një takim të vendeve dhe prodhuesve të vaksinave për të arritur me shpejtësi marrëveshje për të hequr dorë vullnetarisht nga kufizimet e liçencave dhe transferimit të teknologjisë, në një përpjekje për të rritur furnizimin global të vaksinave kundër koronavirusit në botë.

Paneli gjithashtu sugjeroi që drejtori i përgjithshëm i OBSH - aktualisht Tedros Adhanom Ghebreyesus nga Etiopia - duhet të ketë një mandat të vetëm shtatë-vjeçar. Aktualisht, shefi i OBSH-së zgjidhet për një mandat pesëvjeçar që mund të rinovohet një herë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat