​Biden i jep fund luftës tregtare me BE-në

Bota

​Biden i jep fund luftës tregtare me BE-në

Më: 15 qershor 2021 Në ora: 15:58
Foto ilustrim

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, i ka dhënë fund ‘luftës tregtare’ të epokës Trump, në takimin që pati sot me udhëheqësit e Bashkimit Evropian, me të cilët ra dakord për një ‘armëpushim’ në mosmarrëveshjet transatlantike mbi subvencionet e avionëve, e cila është zvarritur qe 17 vite.

Në vizitën e tij të parë në Evropë si president i Amerikës, Biden tha se bota po ndryshon, andaj demokracitë perëndimore duhet të bashkojnë forcat.

Biden, madje ka cituar poetin irlandez, W.B.Yeates, se “bota ka ndryshuar, ka ndryshuar krejtësisht”. Për një gjë të tillë, ai iu referua ngritjes së Kinës, pandemisë CoViD-19 dhe ndryshimeve klimatike.

Sipas Biden, këto ndryshime sjellin ‘ankthe të mëdha’, andaj puna e përbashkët është përgjigja më e mirë që mund t’ua japim atyre, raporton Reuters.

Presidenti amerikan u ka thënë edhe gazetarëve se ai kishte mendime shumë të ndryshme nga paraardhësi i tij, Trump. Edhe ky i fundit kishte vizituar BE-në më 2017, por më pas vendosi tarifa dhe nxiti largimin e Britanisë nga blloku.

“Unë mendoj se kemi mundësi të mëdha për të punuar ngushtë me BE-në dhe NATO-në, andaj ndihem mirë për këtë”, tha Biden gjaë këtij takimi.

“Është jashtëzakonisht në interesin e SHBA-së që të ketë marrëdhënie të shkëlqyeshme me NATO-në dhe BE-në. Unë kam pikëpamje shumë të ndryshme nga paraardhësi im”, shtoi ai.

Biden dhe liderët evropianë ranë dakord që të hiqen tarifat prej 11.5 miliardë dollarë në mallra si duhani dhe pijet alkoolike. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat