Çmimet e vaksinave "Pfizer" dhe "Moderna" rriten për kontratat me BE

Bota

Çmimet e vaksinave "Pfizer" dhe "Moderna" rriten për kontratat me BE

Më: 2 gusht 2021 Në ora: 12:44
Foto Ilustrim

Prodhuesit e dy vaksinave më efikase kundër kovidit-19, amerikanët e "Pfizer" dhe "Moderna", kanë rritur çmimet e dozave për Europën.

Sipas një raporti të britanikes "Financial Times", një dozë vaksine "Pfizer/BionTech" do i kushtojë BE-së 19,5 euro nga 15,5 euro sipas kontratave të vjetra, ndërsa "Moderna" e ka rivlerësuar vaksinën e saj në 25,5 euro nga 22,6 euro.

Çmimet e reja reflektojnë kërkesën e lartë për vaksina efektive, thonë ekspertët, ndërsa vetë kompanitë nuk kanë komentuar për shkak të politikave të konfidencialitetit me kontratat.

Të martën e shkuar, Komisioni Europian tha se është drejt objektivit të vaksinimit të 70 për qind të të rriturve brenda muajit shtator.

Deri tani, më pak se 60 për qind e shtetasve të BE-së janë vaksinuar plotësisht.

Unioni ka grumbulluar deri tani më shumë se 1 miliard doza nga prodhuesit e vaksinave "Pfizer", "Moderna", "AstraZeneca" dhe "Johnson & Johnson".

Agjencia Europiane e Barnave po vlerëson edhe vaksinat "Sinovac", "Curevac", "Novavax", "Sputnik V" dhe "Sanofi Pasteur".

Organizata Botërore e Shëndetësisë u ka kërkuar vendeve të pasura t'i shpërndajnë dozat për shtetet në nëvojë, teksa vendet si Britania apo Gjermania përgatiten t'u ofrojnë një dozë të tretë mbrojtëse moshave mbi 60 vjeç

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat