BE-ja dhe SHBA-ja kritikojnë përpjekjen për kthimin e atletes në Bjellorusi

Bota

BE-ja dhe SHBA-ja kritikojnë përpjekjen për kthimin e atletes në Bjellorusi

Më: 3 gusht 2021 Në ora: 12:02
Atletja bjelloruse, Krystsina Tsimanouskaya, hyn në ambasadën polake në Tokio, 2 gusht 2021

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë kritikuar ashpër përpjekjet për të detyruar atleten, Krystsina Tsimanouskaya, që nga pjesëmarrja në Olimpiadën e Tokios të kthehet në Bjellorusi.

BE-ja dhe SHBA-ja e kanë parë këtë veprim si një shembull tjetër të shtypjes që po bën regjimi i Alyaksandr Lukashenkas.

Më 2 gusht, Tsimanouskaya u strehua në Ambasadën e Polonisë në Tokio pasi refuzoi kërkesën e trajnerëve të saj për t’u kthyer në Minsk.

Tsimanouskaya ka shprehur frikën se mund të përballet me arrestimin në vendin e saj për kritikat që ajo bëri në mediat sociale pas vendimit të trajnerëve të saj për të hyrë në të në një garë për të cilën nuk ishte e përgatitur.

Nabila Massrali, një zëdhënëse e shefit të politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, tha se incidenti ishte një shembull tjetër se si regjimi i Lukashenkës “godet të gjitha kategoritë e shoqërisë bjelloruse, përfshirë atletët”.

Në SHBA, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se qeveria e Lukashenkës ka kryer "një akt tjetër të shtypjes".

Veprime të tilla "shkelin frymën olimpike, janë një fyerje ndaj të drejtave themelore dhe nuk mund të tolerohen", tha Blinken përmes një postimi në Twitter.

Tsimanouskaya, 24 vjeç, u pa duke hyrë në Ambasadën Polake pasi më parë kishte kërkuar ndihmë ndërkombëtare për të shmangur fluturimin drejt Bjellorusisë.

Zëvendësministri i Jashtëm polak, Pawel Jablonski, ka konfirmuar se vendi i tiji ka lëshuar Tsimanouskaya një vizë humanitare.

Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) ka kërkuar një shpjegim nga Komiteti Olimpik Kombëtar Bjellorus (NOC), i cili udhëhiqet nga djali i madh i Lukashenkës, Viktar.

Aktivistët kanë thënë se Tsimanouskaya do të fluturojë më 4 gusht në Poloni, ku planifikon të kërkojë azil.

Ukraina, Polonia dhe Lituania janë bërë vende strehimi për bjellorusët që largohen nga shtypja e regjimit të Lukashenkas.

Autoritetet bjelloruse kanë synuar të heshtin kritikët dhe mediat jo shtetërore, pas protestave që kanë nisur në gusht të vitit të kaluar, si pasojë e rezultateve të zgjedhjeve presidenciale.

Autoritetet i kanë karakterizuar protestuesit anti-qeveritarë si kriminelë ose revolucionarë të dhunshëm të mbështetur nga Perëndimi.

Perëndimi ka refuzuar ta njohë Lukashenkan si president dhe ka vënë një mori sanksionesh ndaj tij, familjarëve dhe bashkëpunëtorëve të tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat