VOA: SHBA-Britani, sanksione Rusisë për helmimin e Navalny-it

Bota

VOA: SHBA-Britani, sanksione Rusisë për helmimin e Navalny-it

Më: 21 gusht 2021 Në ora: 00:47
SHBA

Britania dhe Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione të premten ndaj operativëve të zbulimit rus përgjegjës për helmimin një vit më parë të kritikut të Kremlinit, Alexey Navalny.

Dy vendet vendosën sanksione ndaj shtatë shtetasve rusë dhe bënë një deklaratë të përbashkët duke paralajmëruar Rusinë për përdorimin e armëve kimike.

Uashingtoni vendosi nga ana e tij sanksione të mëtejshme ndaj dy personave të tjerë dhe katër instituteve ruse që tha se ishin përfshirë në punën kërkimore për armët kimike ose për atë që e përshkroi si një atentat kundër zotit Navalny.

Image
Opozitari rus Alexei Navalny në spitalin Charite në Berlin pasi u kurua për helmimin

Navalny u dërgua në Gjermani për trajtim mjekësor pasi u helmua në Siberi më 20 gusht 2020, me atë që ekspertët perëndimorë arritën në përfundimin se ishte agjenti nervor ushtarak Novichok.

Moska ka hedhur poshtë konkluzionet e tyre dhe akuzoi Perëndimin për një fushatë shpifjeje kundër saj.

"Individët e sanksionuar janë drejtpërdrejt përgjegjës për planifikimin ose kryerjen e sulmit ndaj zotit Navalny", thuhej në një deklaratë të Zyrës së Jashtme britanike.

Ministri i Jashtëm britanik Dominic Raab tha se masa ishte një paralajmërim për Rusinë.

"Ne po dërgojmë një mesazh të qartë se çdo përdorim i armëve kimike nga shteti rus shkel ligjin ndërkombëtar dhe se duhet të kryhet një hetim penal transparent", tha ai.

Sanksionet do të prekin ata persona që kanë pasuri jashtë shtetit.

Dokumenti britanik përmban këta emra: Alexey Alexandrov, Vladimir Panyaev, Ivan Osipov, Vladimir Bogdanov, Kirill Vasilyev, Stanislav Makshakov dhe Alexei Sedov. Dokumenti thotë se ata janë të gjithë anëtarë të shërbimit rus të sigurisë FSB dhe se ishin përfshirë drejtpërdrejt ose tërthorazi me helmimin.

Departamenti amerikan i Thesarit njoftoi më vonë se po vendoste sanksione për të njëjtët persona, si dhe dy zyrtarë të tjerë rusë për të cilët u tha se ishin përfshirë në helmim: Konstantin Kudryavtsev dhe Artur Zhirov.

Departamenti i Thesarit gjithashtu përfshiu në sanksione edhe Institutin e Kriminalistikës të FSB-së, një laborator ku punuan shumica e personave të përfshirë në sulm, dhe Institutin Shtetëror të Mjekësisë Ushtarake Eksperimentale të ministrisë ruse të mbrojtjes.

Image
Selia e FSB-së, ku dikur gjendeshin zyrat e KGB-së famëkeqe

Departamenti i Shtetit gjithashtu njoftoi se vendosi sanksione ndaj dy instituteve të tjera shkencore ushtarake ruse të përfshira me armët kimike.

As Kremlini dhe asnjë prej personave në listë nuk ofroi ndonjë koment të menjëhershëm.

Qeveria britanike citoi dëshmi duke përfshirë të dhënat e telefonit dhe udhëtimit që tregojnë se disa nga operativët ishin të pranishëm në qytetin siberian Tomsk në kohën e helmimit.

Për të tjerët tha se kishte baza të arsyeshme për të dyshuar se, për shkak të pozicioneve të tyre në shërbimin e zbulimit, ata kishin "përgjegjësi për të ofruar mbështetje ose promovuar veprimet e operativëve që kryen operacionin".

Navalny u burgos për shkelje të lirimit me kusht për një dënim bazuar mbi akuza që ai tha se ishin të motivuara politikisht kur ai u kthye në Rusi në fillim të këtij viti nga Gjermania.

"Ne i bëjmë thirrje Rusisë që të respektojë plotësisht Konventën e Armëve Kimike, përfshirë detyrimet e saj për të deklaruar dhe çmontuar programin e saj të armëve kimike", thuhej në deklaratën e përbashkët SHBA-Britani.

"Ne mbetemi të vendosur për të respektuar normat ndërkombëtare kundër përdorimit të armëve kimike", thuhet në deklaratë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat