BE dhe SHBA bisedojnë për bashkëpunim

Bota

BE dhe SHBA bisedojnë për bashkëpunim

Më: 29 shtator 2021 Në ora: 09:09
Foto ilustrim

BE dhe SHBA duan të thellojnë bashkëpunimin për digjitalizimin dhe investimet strategjike. Do të flitet edhe për mosmarrëveshjet e mëdha me Kinën dhe vende të tjera.

Këshilli i Tregtisë dhe Teknologjisë (TTC), të cilin Komisioni i BE-së dhe qeveria amerikane e themeluan pas takimit të tyre në Bruksel në qershor, do të takohet për herë të parë në nivelin drejtuesish të mërkurën (29.09). Dy zonat më të mëdha ekonomike të qeverisura në mënyrë demokratike në botë duan të punojnë së bashku për të vendosur standarde të përbashkëta, për të forcuar inovacionet, investimet dhe tregtinë. Vitin e kaluar vëllimi tregtar mes tyre ka qenë 556 miliardë euro ose 42 përqind e tregtisë botërore.

Takimi TTC ishte shumë afër shtyrjes, pas tendosjeve të fundit mes Francës dhe SHBA, për shkak të një projekti të armatimeve me nëndetëse me Australinë. Por presidenti amerikan Biden dhe ai francez Macron kanë arritur të ulin tensionet dhe të rivendosin mirëbesimin, të paktën për aq sa takimi të mos shtyhet.

Problemet që ka shkaktuar Trumpi

Image

 

Për dy komisionerët e BE, Margarethe Vestager (Departamenti i Digjitalizimit në Evropë) dhe Valdis Dombrovskis (Departamenti i Ekonomisë), bisedimet janë shumë të rëndësishme. "Ne kemi vlera të përbashkëta demokratike dhe duam t'i përkthejmë ato në masa konkrete në të dy anët e Atlantikut", deklaroi Margrethe Vestager në qershor. Krahasuar me vitet shkatërruese në kohën e presidentit Trump, ky është një hap i madh përpara. Trump kishte ndërprerë negociatat zyrtare midis BE-së dhe SHBA-së për një marrëveshje gjithëpërfshirëse të tregtisë së lirë dhe investimeve (TTIP), ndonëse negociatat kanë zgjatur me vite.

Marrëveshja e tregtisë së lirë

Image
Komisioneri i BE, Valdis Dombrovski

 

Diplomatët e BE-së që përgatitën raundin e ri të bisedimeve thonë se këtu nuk bëhet fjalë për vazhdimin e negociatave TTIP - me mënyra të tjera. Qëllimi nuk është arritja e një marrëveshje formale. Por me siguri që do të flitet për konfliktet tregtare për çelikun, aluminin, taksat dhe tarifat ndëshkuese që janë futur në kohën e Trumpit. Ata megjithatë nuk besojnë se problemi do të zgjidhet me një takim, thotë eksperti i tregtisë, Peter Chase nga një think tank gjerman në Bruksel.

"Problemi i vërtetë është se të dyja palët nuk kanë vizion se çfarë duhet të bëjnë. Ndaj do të synohet që të arrihet diçka më pak se TTIP." Qëllimi i raundit të parë të bisedimeve, ku do të takohen dhjetë grupe pune dhe do të flasin për temat si inteligjenca artificiale, zinxhirët e prodhimit digjital, furnizimi me lëndë të parë etj. do të jetë një udhërrëfyes konkret se çfarë standardesh duhet të arrihen.

Demokratët duhet të bashkëpunojnë

Image

 

Sekretari amerikan i Shtetit Anthony Blinken vendosi synime ambicioze për takimin e Këshillit të Tregtisë dhe Teknologjisë. Ai synon gjithashtu forcimin e demokracive perëndimore. Blinken në korrik u bëri thirrje demokracive të mbrojnë pozicionet drejtuese në inovacionet digjitale dhe vendosjen e standardeve për rregullimin e inteligjencës artificiale, për të garuar dhe konkurruar sa më fuqishëm në internet. Kina dhe Rusia, nga ana tjetër, do të përdorin teknologji të reja për sulmet e hakerëve dhe për mbikqyrjen masive.

Image
Margarethe Vestager

 

Problemet me lëndë të parë

Në disa sektorë, si në prodhimin e përçuesve elektrikë, ka probleme serioze me furnizimin. Këto lëndë tani importohen prej Azisë në 80 - 90 % të rasteve. Për momentin ka ngushtica të mëdha në treg, ndërkohë që probleme ka edhe me furnizimin e prodhuesve të automjeteve me lëndë të para. Kjo do të jetë një temë tjetër që do të trajtohen në konsultimet mes SHBA dhe BE, sepse ato duan të jenë konkurruese në tregun botëror.

BE dhe SHBA duan të bien dakord mbi rregullat e përbashkëta për investimet e rëndësishme strategjike në Kinë dhe në tregjet e tjera. Edhe testet e përbashkëta të pajisjeve të mundshme të armatimit dhe kontrollet e eksportit për teknologji të ndjeshme të lartë do të diskutohen. Për më tepër, grupet e punës merren me kontrollin dhe me taksat për kompanitë e mëdha në internet, furnizimin e qëndrueshëm me energji dhe teknologjitë përkatëse për klimën.

"Nëse SHBA dhe Evropa në të vërtetë përdorin këshillin e ri për të krijuar lidhjen midis sigurisë kombëtare dhe fuqisë ekonomike, atëherë mund të ketë edhe diçka të rëndësishme. Por për këtë do të duhet kohë", thotë Peter Chase nga instituti gjerman Marshall. Takimi do të mbahet në Pitsburg, që dikur ishte një qendër e industrisë së rëndë për teknologji të reja dhe ekonomi digjitale./DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat