Monarkia dhe njëqind vjetori i “Revolucionit Rus”

Bota

Monarkia dhe njëqind vjetori i “Revolucionit Rus”

Më: 8 mars 2017 Në ora: 19:28
ilustrim

Rusia po shënon këtë vit 100 vjetorin e Revolucionit Rus, i cili i dha fund shekujve të monarkisë dhe çoi në ngritjen e një perandorie të re, Bashkimin Sovjetik. "Revolucioni i Shkurtit" në Rusi, i cili u shoqërua me një kryengritje popullore, e detyroi Car Nikollën e Dytë të hiqte dorë nga froni. Por sot ka ende rusë që e konsiderojnë monarkinë si të shenjtë, dhe madje disa prej tyre shpresojnë në kthimin e saj.

Njëqind vjet më parë në Shën Petersburg, një revolucion i dha fund monarkisë dhe çoi në krijimin e një qeverie të përkohshme që muaj më vonë u përmbys nga bolshevikët. Kjo më pas çoi në krijimin e Bashkimit Sovjetik dhe përhapjen globale të komunizmit.

Dikur besnikë të carit, dhjetëra mijëra punëtorë fabrikash filluan një revoltë kundër korrupsionit, ndërkohë që Lufta e Parë Botërore goditi rëndë nivelin e jetesës në vend.

"Ishte viti i tretë i luftës. Nuk kishte një dallim të madh mes punëtorëve. Ka pasur mungesa buke për të gjithë", thotë Igor Savrasov. drejtor i Muzeut të Fabrikave Kirov.

Familjet e pasura fillimisht ikën, por më vonë disa prej tyre u kthyen në vend dhe iu bashkuan regjimit të ri.

"Kam shërbyer në ushtrinë sovjetike, kështu që unë kalova plotësisht përmes sistemit. Familja ime besonte se ne duhet të mbështesnim Rusinë, qoftë për mirë apo për keq", thotë Ivan Artsishevskiy i Qendrës për Komunikim të Efektshëm.

Artsishevskiy ka ndihmuar në ceremoninë e rivarrimit të familjes së fundit mbretërore të Rusisë, të ekzekutuar nga bolshevikët, e cila u kanonizua në vitin 2000.

Një pasardhës i familjeve aristokrate, ai u mëson etikën e mirësjelljes brezave të ardhshëm të Rusisë.

"Si rezultat i "arritjeve" të mëdha të Bashkimit Sovjetik, një pjesë e madhe e gjeneve të popullsisë sonë u shkatërrua, dhe kjo solli rezultate të karakterit negativ. Kështu që tani ne duhet ta korrigjojmë atë".

Tani, një shekull pas rënies së monarkisë ruse, shtëpia mbretërore ruse, mbrojtësit e trashëgimisë së dinastisë Romanov, kërkojnë njohje ligjore.

"Ne vazhdojmë të ruajmë bindjet tona monarkike. Ne vazhdojmë të besojmë se monarkia për Rusinë është një mënyrë historikisht e natyrshme e ekzistencës. Rusia ishte monarki për më shumë se një mijë vjet para revolucionit, i cili na solli shumë fatkeqësi", thotë Alexander Zakatov, Drejtor i Shtëpisë Mbretërore.

Duke theksuar ndjeshmërinë rreth monarkisë, një film rus mbi aferën e Carit të fundit me një balerinë po kritikohet madje para se të shfaqet në kinema.

Zakatov e pranon se nuk ekzistojnë kushtet për restaurimin e monarkisë në Rusi, një mendim me të cilin janë dakord shumica e rusëve.

Ndërkohë që Rusia shënon njëqind vjetorin e Revolucionit Rus, një numër i vogël rusësh do të vajtojnë humbjen e monarkisë. Por shumë prej tyre do të kujtojnë bolshevikët që morën pushtetin, luftën shkatërruese civile që pasoi, dhe perandorinë sovjetike që ata themeluan./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat