BE nuk do të vendosë viza për SHBA dhe Kanadanë

Bota

BE nuk do të vendosë viza për SHBA dhe Kanadanë

Më: 2 maj 2017 Në ora: 23:02
Ilustrim

Bashkimi Evropian ka përjashtuar të martën mundësinë e vendosjes së regjimit të vizave për shtetasit e SHBA-ve dhe Kanadasë, ndërsa komisari i BE-së për migrim Dimitris Avramopulos tha se është arritur përparim në bisedimet me Uashingtonin dhe Otavën për udhëtimin pa viza në SHBA dhe Kanada për qytetarët nga pesë vendet anëtare të Unionit.

Qytetarëve të Bullgarisë, Kroacisë, Qipros, Polonisë dhe Rumanisë iu nevojiten viza për hyrje në SHBA, derisa për Kanada janë në fuqi kufizimet e vizave për bullgarët dhe rumunët, transmeton AFP.

Parlamenti Evropian në mars i bëri thirrje Komisionit Evropian që në shenjë hakmarrjeje të vendosë regjimin e vizave për shtetasit amerikanë në vendet anëtare të Unionit. 

Por, Avramopulos sot tha se në bisedimet me SHBA dhe Kanadanë për regjimin e vizave është arritur përparim dhe se “BE gjithmonë do të zgjedhë angazhimin, përkushtimin dhe diplomacinë e durueshme, në vend të çfarëdo forme të hakmarrjes së njëanshme”. 

“Kjo është në interesin e përbashkët dhe shtetasve të BE-së dhe atyre amerikanë në këtë rast”, tha ai në konferencën për media. 

Kur bëhet fjalë për Kanadanë, Avramopulos tha se ky shtet ka lejuar një numër të konsiderueshëm të bullgarëve dhe rumunëve që të hyjnë në territorin e saj pa viza që nga e hëna, pas “përpjekjeve të vazhdueshme diplomatike”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat