Reagime për tërheqjen e SHBA nga Marrëveshja e Klimës

Bota

Reagime për tërheqjen e SHBA nga Marrëveshja e Klimës

Më: 2 qershor 2017 Në ora: 21:20
Parisi i ndezi në ngjyrë të gjelbër dritat në qendrën e qytetit, si reagim ndaj njoftimit të Presidentit Trump për tërheqjen nga Marrëveshja e Parisit për Ndryshime Klimatike

Njoftimi i djeshëm i administratës Trump për tërheqjen e Shteteve të Bashkuara nga Marrëveshja e Parisit për Ndryshimet Klimatike ka shkaktuar reagime të menjëhershme në mbarë botën.

Ndërsa në Uashington pati protesta jashtë Shtëpisë së Bardhë, Parisi i ndezi në ngjyrë të gjelbër dritat në qendrën e qytetit, si reagim ndaj njoftimit të Presidentit Trump për tërheqjen nga Marrëveshja e Parisit për Ndryshime Klimatike.

Marrëveshja historike e nënshkruar nga rreth 200 vende është një zotim i përbashkët për të pakësuar çlirimin e gazeve të efektit serë, në përpjekje për të luftuar ndryshimet klimatike.

Ish-presidenti Barack Obama, administrata e të cilit e mbështeti marrëveshjen, e dënoi menjëherë vendimin e zotit Trump.

Përmes një deklarate, zoti Obama tha: “Vendet që mbeten në Marrëveshjen e Parisit do të korrin edhe përfitimet prej saj, si vende të reja pune dhe zhvillimin e industrive që krijon marrëveshja.”

Një numër i madh udhëheqësish botërorë, përfshirë Presidentin francez Emmanuel Macron, shprehën kritika për zotin Trump.

“Unë e respektoj vendimin e tij, por mendoj se ai është i gabuar, si për Shtetet e Bashkuara, edhe për planetin tonë,”- tha zoti Macron.

Kombet e Bashkuara e cilësuan tërheqjen nga marrëveshja “një zhgënjim i madh” ndaj përpjekjeve për sigurinë globale:

“Marrëveshja e Parisit u miratua nga thujase të gjitha vendet e botës në vitin 2015 sepse të gjithë i pranojnë dëmet e mëdha që po shkaktojnë ndryshimet klimatike dhe mundësitë e jashtëzakonshme që paraqesin masat për ngadalësimin e tyre,”- tha zëdhënësja e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së.

Duke e parashikuar njoftimin e presidentit amerikan, kancelarja gjermane Angela Merkel ritheksoi më parë mbështetjen e saj për mrrëveshjen e Parisit dhe i bëri thirrje edhe udhëheqësve të tjerë botërorë të vazhdojnë të qëndrojnë në të.

“Për Gjermaninë unë mund të them, se natyrisht, ne do të vazhdojmë t’i përmbushim detyrimet tona në marrëveshjen e Parisit për ndryshimet klimatike, në kuadrin e strukturës së përbashkët europiane. Unë e shoh marrëveshjen si një kontratë themelore edhe për t’i dhënë formë globalizimit. …Dhe jam e kënaqur që edhe vende të tjera në planetin tonë e shohin atë njëlloj si unë.” – tha zonja Merkel.

Shtetet e Bashkuara i bashkohen kështu Nikaraguas dhe Sirisë, të vetmet vende që nuk janë pjesë e marrëveshjes së Parisit./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat