Suedia...në NATO? Putin: Do ta eliminonim ushtarakisht kërcënimin

Bota

Suedia...në NATO? Putin: Do ta eliminonim ushtarakisht kërcënimin

Më: 3 qershor 2017 Në ora: 02:50
ilustrim

Kundërshtimi i Rusisë për zgjerimin e aleancës ushtarake perëndimore, NATO, veçanërisht me vendet dikur nën ndikimin rus të Europës Lindore, është tejet i njohur. Por këtë herë, paralajmërimi ka kapur limitet.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka shprehur kundërshti të ashpër ndaj idesë së anëtarësimit të Suedisë në NATO, duke e quajtur këtë bashkim potencial si një “kërcënim që duhet eliminuar”.

“Nëse Suedia i bashkohet NATO-s, kjo do të prekte padyshim marrëdhëniet tona në aspektin negativ, sepse ne do të konsideronim se infrastruktura e bllokut ushtarak do të na afrohej së tepërmi nga kufiri më veriperëndimor”, tha Putin për agjencinë shtetërore të lajmeve “Itar-Tass”. “Ne do ta interpretonim atë si një kërcënim të mëtejshëm për Rusinë, e sigurisht që do të mendonim sesi ta eliminonim këtë kërcënim”.

Zyrtarët rusë e kanë trajtuar vazhdimisht zgjerimin e NATO-s pranë, apo edhe në kufi me ta, si cënim, më shumë sesa një dëshirë e fqinjëve të saj të vegjël për të zmbrapsur një inkursion të mundshëm ushtarak rus, siç ndodhi me Ukrainën në vitin 2014 kur këtij vendi iu aneksua gadishulli i Krimesë.

Së fundi, vetëm Mali i Zi ishte në listën e vendeve që do të futeshin në NATO, ndërsa Suedia dhe fqinji tjetër i saj, Finlanda, duket se preferojnë të jenë asnjanëse. Deri më tani, tri shtetet baltike si Letonia, Estonia dhe Lituania janë bërë pjesë e aleancës ushtarake perëndimore, përfshi edhe Poloninë, që të gjitha këto shtete që ndajnë kufinj të përbashkët me Rusinë (Polonia dhe Lituania me Kaliningradin).

Vitin e kaluar, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov tha në Stokholm se Rusia do të ndërmerrte një kundërpërgjigje ushtarake në rastin potencial të hyrjes së Suedisë në NATO, por të enjten, Putin e zgjeroi edhe më tej këtë kundërpërgjigje.

“Kjo nuk do të thotë se ne do të bëhemi histerikë dhe do të drejtonim raketat tona bërthamore drejt Suedisë, - tha Putin. - Por, ne do të ishim të detyruar të vepronim, sepse do ta konsideronim një gjë të tillë si një kërcënim shtesë ndaj Rusisë”.

Udhëheqësi i Kremlinit tha se “vetëm një person i çmendur” do të mund të imagjinonte Rusinë të sulmonte Suedinë, por theksoi se anëtarësimi i saj në NATO nuk do të shtonte hiçgjë në rrugën e rritjes së kapaciteteve mbrojtëse të Suedisë.

Në dhjetor, ambasadori rus në Suedi, Victor Tatarintsev tha për rrjetin televiziv publik, “SVT”, se Moska “nuk kishte asnjë plan të pushtonte Suedinë”.

Suedia e Finlanda kanë ruajtur marrëdhënie partneriteti me NATO-n deri më tani, por asnjëra nuk ka kërkuar anëtarësim në aleancë, edhe pse spekulimet janë shtuar së tepërmi për bashkimin e tyre, që pas aneksimit të Krimesë nga Rusia.

Një raport i hartuar nga qeveria suedeze diktonte avantazhet e anëtarësimit në NATO gjatë shtatorit, duke parë se përballë kishin një politikë të jashtme gjithnjë e më të militarizuar të Rusisë, por Stokholmi gjithsesi refuzoi sugjerimet se do të kërkonte të anëtarësohej.

“Politika jonë e paanshmërisë na shërben edhe neve”, tha ministri i Jashtëm, Margot Wallstroem, pasi mori raportin. “Bashkimi ynë me aleancën e ekspozon Suedinë me shumë risqe, politike dhe me natyrë tjetër, ndaj dhe nuk mendojmë se ai është drejtimi i duhur”./tch

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat