Macron kërkon respektim të marrëveshjes bërthamore iraniane

Bota

Macron kërkon respektim të marrëveshjes bërthamore iraniane

Më: 11 janar 2018 Në ora: 23:22
Emmanuel Macron dhe Donald Trump

Presidenti francez, Emmanuel Macron theksoi gjatë një bisede telefonike me Donald Trump rëndësinë e respektimit nga të gjithë firmëtarët të marrëveshjes bërthamore me Iranin.

“Presidenti i Republikës rikujtoi vendosmërinë e Francës në favor të një aplikimi strikt të marrëveshjes dhe rëndësisë së respektimit të saj nga të gjithë firmëtarët”, theksoi Elizeja në një komunikatë në lidhje me këtë marrëveshje të nënshkruar në vitin 2015.

“Aplikimi i duhur i marrëveshjes duhet të shoqërohet me një dialog me Iranin mbi programin e tij balistik dhe politikën e tij rajonale, për të garantuar një stabilitet më të mirë në Lindjen e Mesme”, thuhet në këtë komunikatë.

Trump, kritik i ashpër i kësaj marrëveshje, do të shprehet në ditët në vijim nëse do të rikthejë një seri sanksionesh ekonomike që ishin pezulluar pas shpërbërjes së instalimeve për pasurim të uraniumit, sipas këtij kompromisi të gjykuar historik nga fuqitë e tjera që e negociuan (Rusi, Kinë, Francë, Britani e Madhe dhe Gjermani). Nga ana tjetër Teherani ka premtuar për reprezalje duke u shprehur se “është i përgatitur për të gjitha skenaret”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat