Trump: Takohem pa kushte me Rouhanin; Sekretari Pompeo “s’e lejon”

Bota

Trump: Takohem pa kushte me Rouhanin; Sekretari Pompeo “s’e lejon”

Më: 31 korrik 2018 Në ora: 09:03
Donald Trump dhe Hassan Rouhani

Duke folur gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kryeministrin italian, Giuseppe Conte, presidenti amerikan Donald Trump tha se “do ta takonte me siguri” presidentin iranian, Hassan Rouhani, pa kushte, “kurdo që ata do të duan”.

“Mund të takohem me cilindo, pasi nuk ka asgjë të keqe me takimet”, deklaroi ai, një lëvizje që gjithsesi u refuzua më pas nga vet administrata amerikane dhe një prej këshilltarëve të Rouhanit.

I pyetur nëse do të vendoste ndonjë parakusht, Trump u shpreh qartazi:

“Asnjë kusht! Nëse duan të takohemi, unë mund të takohem kurdo që ata duan – shtoi ai. – Kjo është diçka e mirë për vendin, e mirë për ata dhe për ne, e mirë për të gjithë botën. Pa kushte! Nëse ata duan të takohemi, unë do të takohesha”.

Propozimi me sa duket spontan i Trumpit shenjoi kështu një ndryshim të toneve dhe vjen pas përshkallëzimit të retorikave, që prej tërheqjes së Shteteve të Bashkuara gjatë muajit maj nga akordi historik bërthamor me Iranin.

Muajin e ardhshëm, administrata amerikane pritet të rikthejë sanksionet që ishin hequr pas nënshkrimit të marrëveshjes së vitit 2015, ndërkohë që ka ndërmarrë një fushatë përshkallëzuese presioni ndaj Republikës Islamike, që shumëkush e konsideron si një lëvizje që synon ndryshimin e regjimit.

Pas komentit të presidentit, Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ra në kontradiktë me Trumpin, duke listuar disa parakushte që duhen përmbushur fillimisht.

Duke folur për CNBC, të hënën, ai tha se “nëse iranianët demonstrojnë angazhim të qartë për të kryer ndryshime fundamentale në mënyrën sesi e trajtojnë popullin e tyre; reduktojnë sjelljen malinje; mund të bien dakord që ka shumë rëndësi të arrihet një marrëveshje bërthamore që parandalon përhapjen e armëve; atëherë presidenti do të jetë i gatshëm të ulet dhe të bisedojë me homologun e tij”.

Edhe një prej këshilltarëve të Rouhanit, Hamid Aboutalebi, vendosi kushtet e veta përpara një takimi të mundshëm me Trumpin, duke thënë se duhet “respekt për kombin e Iranit”, rikthim në marrëveshjen bërthamore dhe reduktim të qasjeve armiqësore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat