SHBA, presion Turqisë për lirimin e pastorit Brunson

Bota

SHBA, presion Turqisë për lirimin e pastorit Brunson

Më: 16 gusht 2018 Në ora: 18:21
Fati i pastorit amerikan Andrew Brunson kërcënon të shkaktojë dëme të përhershme në marrëdhëniet SHBA- Turqi.

SHBA vazhdojnë trysninë ndaj presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan për të liruar pastorin amerikan, Andrew Brunson, pasi një gjykatë turke kundërshtoi të hënën një apel të dytë ligjor për lirimin e tij nga arrestimi shtëpiak. Dhe Turqia po i kundërpërgjigjet presionit, duke rritur ndjeshëm tarifat për një numër mallrash amerikane në hakmarrje ndaj tarifave të vendosura javën e kaluar nga presidenti Trump për çelikun dhe aluminin turk. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Cindy Saine njofton nga Departamenti i Shtetit për përkeqësimin e marrëdhënieve me një aleat të rëndësishëm të Amerikës dhe NATO-s.

Fati i pastorit amerikan Andrew Brunson kërcënon të shkaktojë dëme të përhershme në marrëdhëniet SHBA- Turqi.

"Ne mendojmë se Turqia dhe veçanërisht Presidenti Erdogan e kanë trajtuar Pastor Brunson, i cili ne e dimë të jetë një njeri shumë i mirë dhe një i krishterë i fortë që nuk ka bërë asgjë të keqe, shumë padrejtësisht, shumë keq. Dhe kjo është diçka që administrata amerikane nuk do ta harrojë”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Sarah Huckebee Sanders.

Një gjykatë turke hodhi poshtë kërkesën e dytë të pastorit Brunson për lirimin nga arrestimi shtëpiak, pasi qëndroi në burg për 21 muaj nën akuza për spiunazh dhe terrorizëm. Shtetet e Bashkuara thonë se akuzat janë të rreme.

"Ne jemi të zhgënjyer me atë njoftim. Do të donim që Pastori Brunson të sillet në Shtetet e Bashkuara ", tha zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Heather Nauert.

Analistët thonë se refuzimi i presidentit turk Erdogan për lirimin e pastorit Brunson dhe amerikanët e tjerë të ndaluar në Turqi po krijon një krizë në rritje, pasi presidenti Donald Trump i filloi në kushtet e mira marrëdhëniet me presidentin Erdogan.

"Hartuesit e politikave në SHBA nuk dinë çfarë të bëjnë me Turqinë, si të përpiqen ta detyrojnë, t’i bëjnë presion, ta nxisin, ta bindin Turqinë të ndryshojë sjelljen e saj. Dhe çështja e Andrew Brunson ka qenë diçka rreth së cilës gjithçka është kristalizuar", - thotë Lisel Hintz pranë Shkollës John Hopkins për studime të avancuara ndërkombëtare.

"Dhe tani vjen çështja e pastorit Brunson, në të cilën administrata besonte se kishte një marrëveshje dhe unë mendoj se zoti Pompeo dhe zoti Pence, të dy të krishterë të devotshëm, e shohin çështjen Brunson, gjithashtu në aspektin e kërcënimit të mundshëm të një komuniteti shumë të rëndësishëm ungjillor", thotë Aroon David Miller, analist pranë qëndrës Wilson.

Zyrtarë amerikanë thonë se janë duke vëzhguar pasojat ekonomike globale nga rënia e lirës turke, por shtojnë se kriza ekonomike e e Turqisë është pasojë e vetë politikës së Ankarasë./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat