Irani ngre padi kundër sanksioneve të SHBA-së në GJND

Bota

Irani ngre padi kundër sanksioneve të SHBA-së në GJND

Më: 27 gusht 2018 Në ora: 14:32
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë

Irani ka kërkuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) të udhërojë Shtetet e Bashkuara për të hequr sanksionet e vëna nga administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, duke u bazuar në një Traktat të disa dekadave më parë të miqësisë në mes të Uashingtonit dhe Teheranit.

Ligjvënësit iranianë do të prezantojnë rastin e tyre para kësaj Gjykate më 27 gusht, duke thënë se sanksionet shkelin Traktatin e vitit 1955 të nënshkruar nga Shtetet e Bashkuara dhe Irani.

Në këtë Traktat bëhet thirrje për “marrëdhënie miqësore” në mes të dy shteteve, inkurajohet tregti e përbashkët, invesime dhe marrëdhënie të rregullta diplomatike.

Pakti i vitit 1955 është nënshkruar në kohën e marrëdhënieve të ngushta në mes të Uashingtonit dhe Teheranit, shumë kohë para se të ndodhte Revolucioni Islamik i vitit 1979, që ka rezultuar me dekada armiqësie në mes të dy palëve.

Shtetet e Bashkuara pritet që zyrtarisht të përgjigjen në gjykatë më 28 gusht.

Zyrtarët amerikanë ende nuk kanë nisur një koment publik lidhur me padinë, mirëpo avokatët pritet të argumentojnë se gjykata e Kombeve të Bashkuara nuk ka juridiksion në këtë konflikt.

Ata po ashtu pritet të deklarojnë se Traktati nuk është më i vlefshëm dhe se sanksionet nuk shkelin parimet e tij në asnjë rast.

Seancat pritet të zgjasin katër ditë dhe vendiminga Gjykata të publikohet brenda muajit.

Vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë janë të detyrueshme, mirëpo ky trup nuk ka fuqi për t’i vënë në zbatim ato.

Zakonisht këto vendime injorohen nga palët e përfshira.

Trump ka larguar Shtetet e Bashkuara nga pakti bërthamor i vitit 2015 që ka Irani me gjashtë fuqi botërore dhe ka rivendosur sanksione, të cilat fillimisht ishin hequr meqë marrëveshja parasheh largim të sanksioneve në këmbim të frenimit të aktivitetet bërthamor të Teheranit.

Vendet tjera nënshkruese nuk kanë pasur sukses në thirrjet e tyre drejtuar Uashingonit për të qenë pjesë e marrëveshjes derisa ato vetë janë zotuar se do të vazhdojnë të jenë pjesë e së njëjtës.

Sanksionet amerikane që kanë nisur së aplikuari muajin e kaluar shënjestrojnë industrinë e veturave të Iranit, tregtinë në ari dhe metale tjera të çmueshme dhe qasje në dollarin amerikan.

Vala e dytë e sanksioneve pritet të nisë së zbatuari në muajin nëntor dhe mëton të prekë sektorin e naftës dhe atë bankar, sektoret kyçe në ekonominë iraniane.

Efekti i sanksioneve amerikane është vërejtur menjëherë në Iran, pasi valuta e këtij shteti është zhvlerësuar tejet shumë, çka ka rezultuar me protesta në rrugët e disa qyteteve iraniane./REL

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat