Liderët e Rusisë, Turqisë e Iranit diskutojnë për Idlibin

Bota

Liderët e Rusisë, Turqisë e Iranit diskutojnë për Idlibin

Më: 7 shtator 2018 Në ora: 15:13
Presidenti i Iranit, Hasan Rohani (majtas), presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan (në mes) dhe presidenti rus, Vladimir Putin (djathtas).

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan ka paralajmëruar Rusinë dhe Iranin se një sulm i forcave qeveritare të Sirisë dhe aleatëve të saj në provincën Idlib do të rezultonte me “masakër”.

Erdogan ka folur në Teheran më 7 shtator në një samit të zhvilluar mes presidentit iranian, Hassan Rohani dhe presidentit rus, Vladimir Putin, të cilët kanë thënë se Qeveria Siriane “ka të drejtë” të fitojë kontrollin e gjithë shtetit, duke përfshirë Idlibin.

Të tre liderët janë takuar për të diskutuar situatën në veriperëndim të provincës siriane, në kohën kur po pritet që një ofensivë qeveritare mund të rezultojë me numër të madh të viktimave dhe katastrofë humanitare.

“Secili sulm i nisur apo që do të nisë në Idlib do të rezultojë me katastrofë, masakër dhe tragjedi të madhe humanitare”, është cituar të ketë thënë Erdogan, i cili ka bërë thirrje për armëpushim.

“Ne nuk duam asnjëherë që Idlbi të kthehet në zonë të përgjakur”.

“Nëse njoftojmë për armëpushim sot, unë besoj se do të jetë një nga hapat më të mëdhenj të këtij samiti” është shprehur ai.

“Kjo do të qetësonte civilët. Mendoj se një njoftim i tillë do të jetë fitore për samitin”.

Rohani ka thënë se luftimet në Siri do të vazhdojnë derisa të gjithë ekstremistët të largohen, sidomos nga Idlibi, mirëpo sipas tij në betejë nuk duhet të dëmtohen civilët.

Putin në anën tjetër ka thënë se Qeveria e presidentit sirian, Bashar al-Assad “ka të drejtë të fitojë kontrollin e gjithë territorit kombëtar”.

Ai ka kundërshtuar thirrjet e Erdoganit për armëpushim, duke thënë se rebelët nuk kanë qenë pjesë e bisedimeve andaj armëpushimi nuk mund të bëhët ne emër të tyre.

Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut me seli në Britani, ka thënë se sulmet ajrore kanë goditur një pjesë të Provincës më 7 shtator, po të njëjtën ditë kur të tre liderët janë mbledhur për të diskutuar situatën në këtë pjesë.

Në këtë provincë gjenden dhjetëra mijëra rebelë, e cila kufizohet me Turqinë. Në mesin e këtyre rebëlëve rreth, 10.000 prej tyre konsiderohet të jenë të lidhur me Al-Kaidën.

Në Idlib jetojnë rreth 3 milionë civilë, pasi rreth gjysma e tyre janë zhvendosur aty nga zonat tjera të Sirisë.

Shtetet e Bashkuara, Franca dhe Britania kanë paralajmëruar se ato do të veprojnë nëse Assad përdorë armë kimike në sulmin e tij në Idlib, ashtu siç dyshohet të ketë bërë në betejat për të fituar kontrollin e pjesëve tjera të shtetit.

Presidentët e Turqisë, Rusisë dhe Iranit janë takuar për të diskutuar rreth Sirisë, tri herë në më pak se një vit. Takimet e tyre në Soçi dhe Ankara janë ndihmuar në krijimin e të ashtuquajturave zonave të sigurta, duke përfshirë Idlibin, në të cilën përkohësisht ishte ndaluar dhunën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat