Irani përshëndet marrëveshjen e arritur nga Rusia dhe Turqia për Idlibin - Bota Sot
Irani përshëndet marrëveshjen e arritur nga Rusia dhe Turqia për Idlibin

Bota

Irani përshëndet marrëveshjen e arritur nga Rusia dhe Turqia për Idlibin

Më: 18 shtator 2018 Në ora: 13:37
Ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif.

Teherani, Damasku dhe grupet opozitare siriane kanë mirëpritur një marrëveshje në mes të Rusisë dhe Turqisë për të parandaluar një sulm në provincën Idlib, njëherësh zonën e fundit të kontrolluar nga rebelët në veriperëndim të Sirisë.

“Diplomacia intensive e përgjegjshme “në mes të Rusisë, Turqisë dhe Iranit ka rezultuar me “parandalimin e luftës” në Idlib, “me një përkushtim të madh për të luftuar terrorin ekstrem”, ka thënë ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif, përmes një postimi në Twitter.

“Diplomacia funksionon”, ka shtuar ai.

Një zyrtar i ministrisë së Jashtme siriane ka thënë se marrëveshja e arritur nga presidenti rus, Vladimir Putin dhe homologu i tij turk, Recep Tayyip Erdogan më 17 shtator, për të krijuar zonat e çmilitarizuara në Idlib ashtu që të ndahen forcat qeveritare dhe ato rebele, është rezultat i “diskutimeve intensive” në mes të Damaskut dhe Moskës, është thënë në transmetuesin shtetëror sirian.

Agjencia siriane e lajmeve SANA, ka cituar një zyrtar të ketë thënë po ashtu se Qeveria Siriane do të shtyjë përpara “luftën kundër terrorizmit”, për të “liruar” gjithë shtetin përmes “operacioneve ushtarake apo pajtimit lokal”.

Qeveria Siriane dhe aleatët e saj në Iran dhe Rusi shpesh iu referohen kundërshtarëve të armatosur të Qeverisë Siriane si “terroristë”.

Grupet opozitare siriane po ashtu kanë përshëndetur arritjen e marrëveshjes në mes të Rusisë dhe Turqisë me Komisionin Sirian për Negociata, duke thënë se ky pakt ka ruajtur jetën e banorëve.

Moska dhe Teherani i kanë dhënë presidentit sirian, Bashar al-Assad mbështetje vendimtare në luftën civile siriane, e cila fillimisht ka nisur si shprehje e pakënaqësisë kundër qeverisë në mars të vitit 2011.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...