Rriten çmimet e naftës, pasi OPEC-u refuzoi rritjen e prodhimit

Bota

Rriten çmimet e naftës, pasi OPEC-u refuzoi rritjen e prodhimit

Më: 24 shtator 2018 Në ora: 15:32
Ilustrim

Çmimet e naftës u rritën mbi 2%, pasi Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) dhe prodhuesit e tjerë globalë refuzuan të rrisin menjëherë prodhimin.

Çmimi i naftës së papërpunuar Brent, e cila përdoret si pikë ndërkombëtare e referimit, arriti nivelin më të lartë qysh në nëntor të vitit 2014, përkatësisht 80.94 dollarë për fuçi, për të rënë më pas në rreth 80.65 dollarë.

Prodhuesit kryesorë të naftës në botë, përfshirë anëtarët e OPEC-ut dhe vende jo-anëtare si Rusia, refuzuan rritjen e menjëhershme të prodhimit në një takim gjatë fundjavës në Algjeri, pavarësisht thirrjeve të presidentit amerikan, Donald Trump, për të rritur furnizimin global.

OPEC-u tha përmes një deklarate se është i kënaqur me "tregun aktual të naftës", duke shtuar se ekziston "një balancë e shëndetshme midis kërkesës dhe ofertës".

Trump e ka tërhequr SHBA-në nga marrëveshja bërthamore midis Iranit dhe fuqive botërore në maj, ndërsa, muajin e kaluar, ka nisur rivënien e sanksioneve kundër ekonomisë iraniane.

Këto sanksione i janë hequr Iranit me marrëveshjen e vitit 2015, në këmbim të kufizimit të programit bërthamor të Teheranit.

Rrethi i dytë i sanksioneve amerikane, që do të godasë eksportet iraniane të naftës, do të hyjë në fuqi në fillim të nëntorit dhe parashikimet janë që ato t'i zvogëlojnë furnizimet globale me naftë për së paku 1.5 milion fuçi në ditë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat