Papa Françesku shpjegon marrëveshjen me Kinën për emërimin e peshkopëve

Bota

Papa Françesku shpjegon marrëveshjen me Kinën për emërimin e peshkopëve

Më: 26 shtator 2018 Në ora: 06:20
Papa Françesku

Papa Françesku mbrojti të martën një marrëveshje të rëndësishme midis Vatikanit dhe Kinës për emërimin e peshkopëve, duke thënë se ai, dhe jo qeveria e Pekinit, do të ketë fjalën e fundit për atë se kush është emëruar.

Në komentet e tij të para publike mbi marrëveshjen e nënshkruar të shtunën në Pekin, ai u tha gazetarëve në aeroplan duke u kthye nga një udhëtim në Baltik, se ndërkohë që e di se jo të gjithë do të kuptojnë logjikën e marrëveshjes, ai ishte i bindur në “besimin e madh” të katolikëve kinezë.

“Nuk është qeveria kineze, ajo që i emëron peshkopët. Është një dialog, por emërimet do t’i bëjë Papa. Le të jemi të qartë në këtë pikë”, tha ai për marrëveshjen, e cila ishte më shumë se 10 vjet që negociohej.

Marrëveshja i jep Vatikanit një qasje të dëshiruar gjatë zgjedhjes së peshkopëve në Kinë, ndonëse kritikët e quajtën këtë pakt një shitje te qeveria komuniste.

Në të ardhmen, peshkopët e rinj do të propozohen së pari nga anëtarët e bashkësive katolike lokale, së bashku me autoritetet kineze. Emrat e kandidatëve do të dërgohen në Vatikan, i cili do të thotë më pas edhe fjalën e fundit.

Vatikani tha se mungesa e një marrëveshjeje mund të kishte çuar në një përçarje midis mbi 12 milionë katolikëve kinezë, që do të kishte qenë e vështirë për t’u shëruar.

“Unë mendoj për qëndrueshmërinë e katolikëve që vuajnë. Është e vërtetë se ata do të vuajnë. Gjithmonë vuan në një marrëveshje, por ata kanë besim të madh”, tha Papa.

Me marrëveshjen, të cilën të dyja palët kanë thënë se është e përkohshme, qeveria kineze e njeh në mënyrë efektive Papën si udhëheqës të të gjithë katolikëve në Kinë.

Edhe para se të nënshkruhej, perspektivat e një marrëveshjeje të tillë kishin ndarë komunitetet e katolikëve anembanë Kinës, disa prej të cilëve kanë frikë nga shtypja më e madhe, nëse Vatikani do t’i japë më shumë kontroll Pekinit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat