Vizita e Zonjës së Parë në Afrikë

Bota

Vizita e Zonjës së Parë në Afrikë

Më: 4 tetor 2018 Në ora: 19:33
Melania Trump

Zonja e Parë amerikane Melania Trump po viziton të enjten Malavi-n në kuadër të një turi 6 ditor në Afrikë. Ky është udhëtimi i parë ndërkombëtar që ajo po zhvillon vetëm, që kur erdhi në Shtëpinë e Bardhë në 2017. Zonja e Parë po shfrytëzon këtë vizitë të saj në Ganë, Malavi, Kenia dhe Egjipt për të promovuar iniciativën e saj "Be Best", që fokusohet tek mirëqenia e përgjithshme e fëmijëve. Por kjo vizitë e vullnetit të mirë është errësuar nga komentet negative që bëri bashkëshorti i saj, Presidenti Donald Trump, në fillim të vitit për Afrikën si dhe nga pikëpyetjet që janë ngritur për strategjinë e administratës ndaj këtij kontinenti. Korrespondenti Richard Green ka përgatitur materialin:

Pak pas mbërritjes në Ganë, zonja Trump vizitoi Spitalin Rajonal të Akrës ku shpërndau batanije dhe lodra për foshnjat dhe nënat e tyre.

Shtëpia e Bardhë thotë se Zonja e Parë e ka përqëndruar vizitën tek shëndeti i nënës dhe foshnjes në spitale si dhe tek arsimi për fëmijët, dy elementë kryesorë të fushatës së saj “Arrij Më të Mirën” që ka në qendër të saj mirëqënien e fëmijëve.

Vizita e saj në Afrikë zhvillohet disa muaj pas bujës që shkaktuan komentet e Presidentit Trump, i cili përdori një frazë vulgare për të përshkruar këtë kontinent.

John Campbell, studiues i politikave për Afrikën pranë Këshillit për Marrëdhëniet me Jashtë, thotë se vizita e saj duhet të bindë afrikanët se jo të gjithë amerikanët kanë të njëjtat pikëpamje si presidenti:

“Ato pak deklarata që ka bërë presidenti për Afrikën kanë qenë të turpshme. Vizita e Zonjës së Parë do të tregojë se amerikanët, politika dhe administrata amerikane janë të shumanshme dhe përfshijnë shumë më tepër se 2-3 postime në Twitter”.

Por Judd Devermont, drejtor i programit për Afrikën në Qendrën për Studime Ndërkombëtare dhe Strategjike, thotë se një tjetër faktor më i rëndësishëm hedh hije mbi vizitën e Zonjës së Parë:

“Këto janë kohë të jashtëzakonshme, pasi presidenti nuk po merret me Afrikën, po ashtu ka bërë komente fyese për kontinentin, prandaj një vizitë e tillë mund të ndikojë pozitivisht. Problemi është se vizita zhvillohet në një kohë kur është vënë në pikëpyetje vetë strategjia e përgjithshme për kontinentin, gjë që krijon ndërlikime për Zonjën e Parë”.

Administrata Trump ka propozuar shkurtime të ndjeshme buxhetore në programet e ndihmave për Afrikën. Shkurtimet nuk morën votën e Kongresit.

Vizita e Zonjës së Parë në Afrikë përfshin ndalesa në Ganë, Malavi, Kenia dhe Egjipt./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat