Britania sfidon A.Saudite për rastin e gazetarit Khashoggi

Bota

Britania sfidon A.Saudite për rastin e gazetarit Khashoggi

Më: 10 tetor 2018 Në ora: 10:35
Gazetari saudit, Jamal Khashoggi.

Sekretari i Jashtëm britanik, Jeremy Hunt i ka thënë Arabisë Saudite se Britania është duke pritur përgjigjje urgjente lidhur me zhdukjen e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi.

Në një bisedë telefonike, Hunt ka paralajmëruar ministrin e Jashtëm të Arabisë Saudite, Adel al-Jubeir, se “miqësia varet në vlerat e përbashkëta”.

Khashoggi është parë për herë të fundit javën e kaluar duke vizituar konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll, derisa Turqia beson se ai mund të jetë vrarë aty.

Arabia Saudite i ka hedhur poshtë këto pretendime.

Me një qasje tejet të ashpër, një zëdhënës i Zyrës së Jashtme britanike ka thënë se nëse raportimet e mediave për këtë rast janë të vërteta, Britania do ta trajtojë këtë incident “shumë seriozisht”.

Shtetet e Bashkura po ashtu kanë shprehur shqetësime për zhdukjen e gazetarit, mirëpo presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se nuk ka biseduar ende me zyrtarët sauditë për zhdukjen e gazetarit.

“Nuk kam biseduar. Mirëpo do të bisedoj. Nuk di asgjë tani për tani. Di aq sa kanë njohuri të tjerët, asgjë”, është shprehur ai.

Ndërkohë e dashura e gazetarit Khashoggi, Hatice Cengiz ka kërkuar ndihmë nga SHBA-ja për këtë rast.

Në një artikull emocional në Washington Post, ajo i ka kërkuar presidentit Trump dhe Zonjës së Parë, Melania Trump të “vendosin dritë në zhdukjen e Jamalit”.

“Ne kemi qenë duke bërë plane për martesë, për jetë”, ëshë shprehur ajo.

Turqia në anën tjetër ka thënë se do të nisë kërkime në konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll.

Ministria e Jashtme saudite ka thënë se Arabia është “e hapur për të bashkëpunuar” dhe se kërkimet në ndërtesë mund të kryhen në kuadër të procesit hetimor.

Kjo konsullatë ka thënë se gazetari është larguar nga ndërtesa pak pasi ka arritur, mirëpo autoritetet turke kanë deklaruar se ai nuk është parë të ketë dalë nga konsullata.

Ankaraja është duke kërkuar prova nga Arabia Saudite se është ai është larguar, pavarësisht se nuk ka ofruar të dhëna për pretendimet e saj se ai është vrarë brenda.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat