Pastori Brunson drejt Shteteve të Bashkuara

Bota

Pastori Brunson drejt Shteteve të Bashkuara

Më: 13 tetor 2018 Në ora: 16:24
Andrew Brunson me gruan e tij

Një pastor amerikan i ndaluar në Turqi për dy vjet është duke u kthyer në Shtetet e Bashkuara pasi u lirua dje nga një gjykatë turke.

Lirimi i Andrew Brunson të premten shënoi fundin e një mosmarrëveshjeje të ashpër diplomatike midis Uashingtonit dhe Ankarasë. Brunson përballej me 35 vjet burg nëse do të dënohej për terrorizëm dhe akuzat për spiunazh, që Uashingtoni i quajti të pabaza.

Presidenti Donald Trump u tha gazetarëve se Brunson kishte "vuajtur shumë", por tani është në "gjendje të mirë" dhe do të vizitojë së shpejti Shtëpinë e Bardhë. Në Twitter, Sekretari i Shtetit Mike Pompeo tha se administrata Trump do të vazhdojë të punojë për të sjellë në atdhe amerikanët e tjerë "të burgosur padrejtësisht".

Ushtria amerikane e çoi zotin Brunson në bazën ajrore Ramstein në Gjermani të premten për një vlerësim mjekësor përpara se të vazhdonte udhëtimin në Shtetet e Bashkuara.

Ambasadori amerikan në Gjermani Richard Grenell e përshëndeti Brunson në bazën ajrore. Ambasadori postoi një fotografi të Brunsonit në Twitter duke puthur një flamur amerikan. "Kur i tregova flamurin amerikan, ai e puthi atë menjëherë," shkroi Grenell.

Presidenti Trump u tha gazetarëve të premten se Brunson "do të shkojë në Zyrën Ovale, me shumë gjasa të shtunën".

Gjykata turke e shpalli Brunsonin fajtor të premten, por e dënoi atë me vetëm tre vjet dhe një muaj burg. Pastori kishte shërbyer dy vjet në paraburgim kështu që u lirua për kohën e kryer.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat