Pompeo drejt Rijadit për çështjen e gazetarit të zhdukur

Bota

Pompeo drejt Rijadit për çështjen e gazetarit të zhdukur

Më: 15 tetor 2018 Në ora: 18:24
Presidenti i SHBA Donald Trump

Presidenti i SHBA Donald Trump thotë se po dërgon Sekretarin e Shtetit Mike Pompeo për t’u takuar Mbretin saudit Salman, i cili ka mohuar prerë se ka dijeni rreth zhdukjes së një gazetari saudit dy javë më parë pas hyrjes në konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll.

Presidenti u tha të hënën gazetarëve para se të nisej për në Florida, se kishte folur në telefon me mbretin saudit, i cili mohon çdo dijeni për çdo gjë që mund t’i ketë ndodhur Jamal Khashoggit.

Për këtë arësye ai po dërgon menjëherë sekretarin e shtetit Pompeo drejt Rijadit për më shumë bisedime me Mbretin.

Zoti Trump tha se gazetari Khashoggi mund të ketë qenë viktimë e vrasësve të papërgjegjshëm.

Presidenti Trump citon mbretin Salman të ketë thënë se vendi i tij është duke punuar ngushtë me Turqinë për të gjetur përgjigjen.

Turqi-Arabi Saudite, grup i përbashkët hetimi

Udhëheqësit e Ankarasë dhe Riadit kanë diskutuar rreth formimit të një grupi të përbashkët për të hetuar rreth zhdukjes të gazetarit saudit Jamal Khashoggi i cili vizitoi konsullatën saudite në Stamboll në 2 tetor.

Agjencitë shtetërore të lajmeve të të dy vendeve njoftuan se presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan dhe mbreti saudit Salman biseduan lidhur me këtë çështje, gjatë një telefonate që zhvilluan të dielën në mbrëmje.

Arabia Saudite iu kundërvu kërcënimit të Presidentit amerikan Donald Trump i cili paralajmëroi ndëshkimin e Riadit lidhur me zhdukjen e gazetarit, duke thënë të dielën se do të hakmerrej me veprime ekonomike "edhe më të ashpra" nëse Uashingtoni do t’i vendoste sanksione.

Tregu saudit i aksioneve shënoi një rënie me shtatë për qind përpara se të ringrihej lehtë, por gjithësesi me humbje prej 5 për qindësh, pas intervistës së zotit Trump për rrjetin televiziv amerikan CBS.

Presidenti amerikan tha se Riadi do të "ndëshkohej ashpër" nëse do të arrihej në përfundimin që mbështet Turqia se Jamal Khashoggi u vra nga agjentë sauditë, brenda konsullatës së këtij vendi në Stamboll,

Sipas autoriteteve saudite akuza është "e pabazë", por nga ana tjetër ata nuk kanë dhënë asnjë provë që tregon se gazetari u largua gjallë nga konsullata, në të cilën hyri për të marrë dokumentet për martesën e tij të afërt.

"Mbretëria bën të ditur se në qoftë se do të jetë objektiv i ndonjë mase, do të reagojë me veprime më të mëdha. Ekonomia e mbretërisë ka një rol me ndikim jetësor në ekonominë botërore dhe ajo ndikohet vetëm prej saj".

Jamal Khashoggi jetonte në mërgim të vetë-imponuar në Shtetet e Bashkuara. Ai kishte kritikuar princin e kurorës së Arabisë Saudite Mohammed bin Salman në disa artikuj të publikuar në gazetën “The Washington Post”.

Sipas njoftimeve në shtyp Jamal Khashoggi mund të ketë regjistruar vdekjen e tij me orën inteligjente Apple që mbante në dorë.

Raportet thonë se në momentin që kishte hyrë në konsullatën saudite ai kishte ndezur butonin e orës që bën të mundur regjistrimin e zërit. Gjithashtu thuhet se kishte arritur të regjistronte jo vetëm momentin e marrjes në pyetje dhe torturat ndaj tij, por edhe momentin e vrasjes.

Sipas njoftimeve një grup prej 15 personash me shtetësi saudite patën mbrritur në Stamboll ditën kur Jamal Khashoggi hyri në konsullatë.

Në shenjë proteste ndaj zhdukjes së tij disa drejtues biznesesh në Shtetet e Bashkuara anuluan pjesmarrjen në konferencën “Iniciativa e investimeve të ardhshme” e cila mbahet javën që vjen në Riad, e quajtur ndryshe si "Davos-i i shkretëtirës", referuar takimit vjetor ekonomik botëror që zhvillohet në Zvicër.

Megjithatë sipas Shtëpisë së Bardhë sekretari i Thesarit Stiven Mnuchin ka ende në plan të marrë pjesë në konferencë./Voa/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat