Rasti Khashoggi: Hetuesit turq bastisin rezidencën e konsullit saudit

Bota

Rasti Khashoggi: Hetuesit turq bastisin rezidencën e konsullit saudit

Më: 17 tetor 2018 Në ora: 20:12
Konsullata saudite në Stamboll

Hetuesit turq hynë në rezidencën e konsullit saudit në Stamboll, për të mbledhur më shumë prova rreth zhdukjes së gazetarit saudit, Jamal Khashoggi.

Zyrtarët turq besojnë se Khashoggi, kritik i udhëheqjes saudite, është vrarë gjatë një vizite në ndërtesën e konsullatës, më 2 tetor, por Riadi e mohon.

Konsulli Mohammed al-Otaibi udhëtoi për në Riad të martën. Ai thotë se nuk ka dijeni se çfarë i ka ndodhur Khashoggit.

Megjithatë, sipas një gazete turke, Otaibi mund të dëgjohet në disa audio-incizime që supozohet se dëshmojnë vrasjen e Khashoggit.

Më herët, sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, takoi në Ankara presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, dhe ministrin e Jashtëm të këtij vendi, Mevlut Cavusoglu, për të diskutuar rastin e gazetarit.

Cavusoglu nuk dha detaje për takimet, por i përshkroi ato si "të dobishme" dhe "të frytshme".

Pompeo nuk iu adresua gazetarëve, por Departamenti amerikan i Shtetit tha përmes një deklarate se ai e ofroi mbështetjen e SHBA-së në hetimet që po bën Turqia rreth zhdukjes së Khashoggit.

Të martën, Pompeo takoi në Riad mbretin e Arabisë Saudite, Salman, dhe princin e kurorës, Muhammad, i cili ka qenë një nga shënjestrat kryesore të kritiave të Khashoggit.

Pompeo tha se ka theksuar se sa e rëndësishme është që autoritetet saudite të kryejnë hetime të plota të rastit dhe se ato janë zotuar se do të bëjnë një gjë të tillë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat